Makina pa shofer “shëtit e qetë” nëpër një nga qytetet më të ngarkuara të Kinës!
Videoja më poshtë tregon se si sistemi autonom navigon në situata sfiduese ku makinat ndryshojnë shpesh korsinë, automjetet kalojnë nëpër dritat e kuqe dhe këmbësorët lëvizin afër korsive. Në Kinë, për herë të parë, automjetet autonome pa shofer lejohen të bashkohen në trafik. Edhe pse një numër prototipash pa shofer tashmë kanë kaluar me sukses testet e tyre të para në rrugët publike, ky shembull është më i afërti me atë që na pret në të ardhmen.
‘Deeproute.ai’ ka publikuar një video nga rruga e provës, ku prototipi i automjetit autonom kapërcen me sukses të gjitha sfidat e drejtimit pa e përfshirë shoferin në procesin e drejtimit. Në një rrugë testimi 22,5 kilometra të gjatë në zonën e biznesit të qytetit kinez të Shenzhen, prototipi i pajisur me një sistem drejtimi autonom të nivelit 4 kapërceu me sukses të gjitha sfidat e bllokimit të trafikut.
Kujtojmë se Shenzhen është qyteti i katërt më i madh kinez me 17.5 milionë banorë dhe automjeti autonom kaloi në zonën e përzgjedhur posaçërisht pa më të voglin gabim brenda rreth një ore. Ky shënoi testin e parë ligjor të automjeteve pa shofer në Kinë, i cili u mundësua nga legjislacioni i ri i miratuar më 6 korrik në Shenzhen. Situata të shumta do të ishin zhgënjyese edhe për shoferin mesatar, me kushedi çfarë pasojash dhe reagimesh, ndërkohë që sistemi autonom i përballoi të gjitha sfidat në fund duke falur me qetësi shkeljet dhe manovrat e rrezikshme të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Automjeti i testimit është MG Marvel R, i cili është i pajisur me pesë LiDAR, tetë kamera dhe sensorë, por ndryshimi kryesor është algoritmi që parashikoi në mënyrë perfekte lëvizjen e pjesëmarrësve të tjerë të trafikut në testin e treguar dhe rregulloi lëvizjen e automjetit autonom. ‘DeepRoute.ai’ do të ofrojë sistemin Driver 2.0 me një çmim prej 3000 dollarë për prodhuesit që zgjedhin ta vendosin atë në makinat e prodhimit dhe automjetet robotaksi. Sistemi është gati për përdorim të gjerë dhe do të dalë në treg deri në vitin 2025. Një avantazh shtesë i sistemit, përveç çmimit, është se ai tashmë është i integruar në dizajnin e makinës, kështu që, ndryshe nga disa robotaksi, është pothuajse e pamundur të vërehet.