Dhunë e vrasje në Kosovë?! Kryeministri Kurti: Imagjinatë serbe!
“Kur zyrtarët në Beograd, përfshirë presidentin serb, Aleksander Vuçiç, flasin për dhunë e vrasje në Kosovë, ata flasin për vete, për imagjinatën e mendimet e tyre”. Kështu shprehet kryeministri Albin Kurti, një ditë pasi Vuçiç deklaroi se “ka informacione për plane se në veri të Kosovës po përgatitet likuidimi i popullit tonë”, referuar serbëve atje. Pas një vizite që i bëri sot Doganave të Kosovës, Kurti theksoi se “Kosova është për paqe dhe stabilitet” dhe komentet i paraprijnë takimit të 18 gushtit.
Kur ata flasin, nuk flasin për ne, por për vete. Ne jemi për paqe, siguri, stabilitet afatgjatë e duhet që me shtetin tonë jo vetëm të mbrojmë sovranitetin e integritetin territorial, por gjithashtu demokracinë, kushtetutshmërinë, sundimin e ligjit dhe progresin.
Sërish, Kurti akuzoi Serbinë se më 31 korrik e 1 gusht nxiti rritjen e tensioneve në veri të Kosovës, kur serbët bllokuan rrugët me barrikada, të pakënaqur me vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentet, pra reciprocitetin.
1 gushti do të shkonte tërësisht paqësor dhe do të ishte dita e parë e punës së muajit të 8-të të vitit. Por, më 31 korrik u ngritën barrikada nga njerëz që nxitën, planifikuan, përgatitën e financuan strukturat ilegale, që u kthyen në banda kriminale në rrugët në veri të Kosovës. Kosova ka shënuar progres në shumë fusha, përfshirë mbledhjen e të ardhurave e parandalimin e kontrabandës. Vetëm gjatë këtij viti, ato u rritën me 14% krahasuar me vitin e kaluar.
Gjatë konferencës për media, Kurti u pyet edhe mbi nismën e qytetarëve, që po kërkojnë të shfuqizohet një udhëzim administrativ, i cili ndalon mbajtjen e shamisë në shkollat e Kosovës.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit po punon për të adresuar këtë shqetësim të qytetarëve. Qëndrimin tim e kam thënë para shumë vjetësh e është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë e të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve. Gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu.
Që nga viti 2010, në Kosovë ekziston një udhëzim administrativ që ndalon mbajtjen e shamisë në shkolla, me argumentin se shkolla është laike.