Zbulohet imazhi i fshehur në artifaktin e lashtë të njohur si “Pasqyra magjike”!
Mes mijëra thesareve të Muzeut të Artit të Cincinatti, në koleksionin e Azisë Lindore, një pasqyrë e vogël bronzi e shekullit të XV-XVI ishte dukur gjithnjë e zakonshme. Hera e fundit e ekspozimit të saj ishte në vitin 2017, pas dekadash që qëndronte larg syrit publik, përkrah sendeve të tjera. Por artefakti mbart një sekret, që u zbulua nga kuratorja e muzeut teksa studionte të ashtuquajturat “pasqyra magjike”.
Këto pasqyra të lashta, kur ekspozohen në dritë, reflektojnë imazhe të fshehura nën sipërfaqen e tyre reflektuese. Pasqyra në fjalë ishte më e vogël se të tjerat në muzeumet e Tokios apo Shangait dhe me një mbishkrim më të ndërlikuar kinez. Kur mbi të u reflektua një dritë e fortë, e fokusuar, në mur u shfaq një imazh jo dhe aq i qartë, por mjaftueshëm sa për të nisur një hulumtim. Eksperimente të tjera duke përdorur drita më specifike dhe të fuqishme, zbuluan imazhin e një Bude që i ulur, lëshonte rreze.
Mbishkrimi në pjesën e pasme të pasqyrës tregon qartë cili është skalitur, Amitabha, një figurë e rëndësishme e budizmit të Azisë Lindore. Përpara shpikjes së pasqyrave të sotme, njerëzit e shihnin veten mbi pllaka të pastruara bronzi. Arti i lashtë i pasqyrave magjike kineze u shfaq për herë të parë gjatë dinastisë Han, rreth 2000 vite më parë, e më pas u shtri deri në Japoni.
Për të krijuar efektin e mistershëm, artizanët gdhendnin imazhe ose fjalë në njërën anë të një pllake bronzi. Shkencëtarët mendojnë se ata kruanin dhe fërkonin anën tjetër, përpara se ta pastronin dhe ajo të dukej si një pasqyrë e zakonshme. Në varësi të trashësisë së pllakës, procesi krijonte lakime thuajse të padukshme në këtë anë, ndërsa shtohej një substancë e ngjashme me mërkurin, e padukshme me sy të lirë, por që përputhej me gdhendjen. Kur drita e diellit reflekton në një mënyrë të caktuar mbi objekt, imazhi i fshehtë zbulohej dhe jepte iluzionin sikur drita përshkonte pasqyrën.