Let’s get it started, sezoni i ri në TAR!

vovalbania August 31, 2022 0 koment 7 Mund të lexoni në minuta.
Let’s get it started, sezoni i ri në TAR!

Shatori erdhi dhe bashkë me të Top Albania Radio do të nisë sezonin e ri me shumë programe dhe risi. Për t’ju informuar në kohë reale, gjithçka çfarë ndodh në vend, rajon dhe botë, spikerët dhe gazetarët e TAR, Edison Hallaçi, Dorjana Lato, Antiola Bame dhe Eriselda Doko do të jenë për ju çdo 60 minuta duke filluar që nga 1 shtatori, nga ora 08:00 deri në 22:00.

E muzika e mirë, por mbi të gjitha e përzgjedhur nga ju rikthehet me 1KËNGËXTY më 1 shator çdo ditë me spikerët që jeni mësuar t’i dëgjoni thuajse çdo ditë, Ksenja Shoshaj, Ksanti Hysenlliu, Adi Pojana, Stenaldo Mëhilli, në orarin që tanimë ju e dini, 15:00-18:00. Telefononi në +355 4 224 7299, dërgoni SMS në 069 20 98 052 ose dërgoni mesazhe zanore në Whatsapp 069 442 8873 për të përshëndetur dikë apo për të dëgjuar këngën tuaj të preferuar, sepse edhe ju jeni pjesë në magjinë tonë.

Nga 3 shtatori fillon ‘The Top List’, programi që ju sjell sipas renditjes klasifikimin e vetëm të muzikës moderne shqiptare për plot 3 orë. Çdo të shtunë nga ora 10 deri në 13 ku krahas muzikës së mirë, Elios Shuli do t’ju shuajë dhe kuriozitetin e të zbuluarit kush është në majë nga java në javë.

Kaloni 60 minuta me klasiket e muzikës House, nga SAIX. Në një kohë kur muzika elektronike është bërë mainstream, house i viteve 80 – 90 – 00 tingëllon si Evergreen. Një nga shtyllat e postproduksionit në Top Albania Radio, DJ dhe Producer – SAIX sjell çdo të shtunë duke nisur nga 3 shtatori një buqetë me hitet klasike te House, ato që ju kujtojnë kohët më pak të ndërlikuara dhe që frymëzojnë brezat për krijimtari origjinale në vend të ripaketimit.

Top Albania Radio ka një traditë të transmetimit të Hip Hop-it që në fillimin e saj, atëhere kur kjo rrymë konsiderohej nga kritikët si denigrim i muzikës. Ky program sjell më të mirat e rap-it të pa censuruara, dje dhe sot, duke zgjuar nostalgji dhe duke ju prezantuar hitet që do trondisin bokset e makinës tuaj, të miksuara nga Dj më e re por më energjike në TAR, Ankloe. Hip Hop On Top vjen çdo të shtunë për ju nga ora 22:00 – 23:00 duke nisur nga 3 shtatori.

Mëkati profesional na thërret në ndërgjegje që t’i themi disa të vërteta në realitetet e veta. Të vërteta që mund të jenë njëherësh tragjike, herë herë dramatike, por brenda fshehin edhe pjesën e tyre komike. Top Albania Radio sjell disa prej ngjarjeve që shënjojnë politikën, ekonominë, aktualitetin, artin dhe sportin në një këndvështrim me titull “Një ngjarje dy të vërteta” që mund ta dëgjoni çdo të shtunë në orën 18 duke nisur nga data 4 shtator.

Mëngjesi në Top Albania Radio fillon me “Wake Up”. Programi i njëkohshëm radio-televiziv i Top Channel e Top Albania Radio gjatë tre orëve të transmetimit, veç informacionit tipik mëngjezor që tërheq vëmendjen e dëgjuesve dhe shikuesve, muzika e programit mbetet një nga armët e forta që prek te gjitha gjeneratat e audiencës dhe dëshiron që të jetë kolona zanore e çdokujt, që në nisje të ditës. ‘Wake Up’ këtë sezon vjen me ndryshime të mëdha ku ‘të zotët e shtëpisë’ tanimë janë ndryshuar. Blendi Salaj, Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj janë treshja që do t’ju shoqërojnë mëngjeseve nga e hëna në të premte nga ora 07:00 – 10:00, duke nisur më 5 shtator.

15 vite pas themelimit #lft është shoqëruesi ideal kur jeni në lëvizje, për të dëgjuar muzikë të mirë si edhe për të dëgjuar intervistat me protagonistët e ditës si dhe temat që zgjojnë debat. ‘Live From Tirana’ në prezantimin e alternuar të Elios Shuli dhe Stenaldo Mëhilli ju fton të dëgjoni çdo gjë që ndodh rreth e qark nesh, drejtëpërdrejtë nga kryeqyteti, nga e hëna në të premte, në orën 10-13 duke nisur nga 5 shtatori.

Mesdita e shndërron Top Albania Radion në një klub të vërtetë ku e ftuar janë të gjithë që arrijnë radion në valët e saj tokësore, digjitale apo online. House Nation me Dj që bëri historinë 20 vjeçare, Dori Dj ju fton nga e hëna në të shtunë, në orën 13 duke nisur nga 5 shtatori të dëgjoni radion duke lëvizur gjymtyrët dhe hapur mendjen.

Për kinema-dashësit tanimë ju e dini programin dedikuar posaçërisht për ju! Edison Hallaçi, këtë sezon me një shoqëruese të re, Edea Demaliaj vjen me @ The Movies për t’ju informuar mbi filmat më të rinj, ngjarjet e fundit nga protagonistët tuaj të preferuar, recensionet e filmave, shoqëruar nga kolonat zanore të paharrueshme që zgjojnë kujtime rrënqethëse çdo të premte nga ora 14:00 – 15:00 duke nisur nga data 9 shtator.

Emisioni më i kërkuar nga të gjithë fanatikët e sportit. Glent Nallbani, Edi Manushi, Redi Jupi, Lorenc Jemini dhe Gëzim Sinemati mendojnë për të gjithë ju dashamirës të futbollit duke sjellë “Pasó”, emisionin që do t’ju ndjekë çdo të premte në orën 18 nga data 9 shtator në frekuencën e radios tuaj të preferuar, vetëm në Top Albania Radio.

Top Albania Radio dhe muzika elektronike kanë qënë gjithmonë dy shina paralele që kanë rritur breza më tingujt dhe energjinë e pakrahasueshme që zhanret e ndryshme të tingëllimit elektronik sjellin. Të premteve në orën 22:12 duke nisur nga 9 shtatori, një tjetër program i një prej Dj/Producentëve më të famshëm të kryeqytetit dhe jo vetëm – Nu Jack.

Top Albania Radio rikthen botën e çuditshme në kohët më të çudtishme që po jeton planeti ynë, kur asgjë nuk është më e çuditshme. Ksanti Hysenlliu do t’ju njohë me kuriozitete rreth jetës sonë, planetit ku jetojmë dhe jo vetëm, florës e faunës si dhe gjithçkaje që natyra dhe njerëzit kanë krijuar duke nisur data 10 Shtator, çdo të dielë në orën 08:00.

Zëri i dëgjuesve të radios në valët që dëgjojnë çdo ditë për tema të ndryshme nga Albana Ruçi. Të integruara si pjesë e #lft por edhe në orar të lirë çdo të shtunë në orën 08:00 duke nisur nga data 11 shtator, si edhe të montuara me humor, ‘ON THE MIC ME ALBANËN’ është për të mos u humbur.

Top Albania Radio sjell intervistat më të mira të javës edhe në ritransmetim radiofonik të Dielave prej orës 10:00 nga data 11 Shtator.

Tanimë dihet se TAR mendon për të gjithë ndjekësit besnikë, duke nisur nga ata që pëlqejnë të dëgjojnë njerëz me mendime të ndryshe, që i shohin me një tjetër këndvështrim lajmet më ‘pikante’ të javës shoqëruar me komentet ironike që vetëm Koloreto Cukali di t’i përcjellë më së mirë. Bashkë me to, ora e seksit, libri në ‘SNËH’ nuk do të mungojnë për ju, ashtu si jeni mësuar, çdo të hënë në orën 18:00 duke nisur nga 19 shatori. Por, dy mendje gjithmonë janë më mirë se një ndaj bashkë me Kolon, do të jetë dhe një mikeshë e vjetër e programit, tanimë një ‘zonjë shtëpie’, Blerina Shehu.

Politika dhe aktualiteti, të para ndryshe. Pse Shqipëria është kjo që është, pse shqiptarët janë siç janë, një vështrim plot humor nga Salsano Rrapi dhe Adi Pojana mbi jetën që bëjmë që do t’ju sjellë gjendje të mirë shpirtërore përpara se të mbyllni ditën tuaj. Por jo vetëm kaq, ‘telefonatat kurth’ nga Anxhela nuk mund të mungojnë pasi janë një pjesë shumë e rëndësishme e programit tanimë. ‘Ndryshe’ do t’ju shoqërojë çdo të martë në orën 18:00 duke nisur nga data 20 shtator.

Një emision ku si asnjëherë më parë mendimet dhe fjalët vijnë si në jetë, të pacensuruara…Mirë, ndoshta pak të censuruara. “Pardon my French” nga Jonida Alickolli dhe Elona Duro të cilat e vetmja gjë që nuk dinë të bëjnë është të flasin frengjisht! Nuk do të mungojnë të ftuarit në studio, diskutimet mbi tema të ndryshme në mënyrën më të ‘zhveshur’, si dhe muzikën më bukur të momentit. Të gjitha këto mund t’i dëgjoni në TAR prej 28 shtatorit, çdo të mërkurë në orën 18:00.

Me të ftuar të ndryshëm, të cilët kanë si kusht lënien pas të klisheve, hyjmë në një bashkëbisedim të sinqertë dhe fuqizues me Anna Shkrelin, për të gjithë ne duke nisur nga data 6 tetor. ‘Çdo gjë është ashtu si duket’ vjen për dëgjuesit e TAR çdo të enjte në orën 18:00.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48401 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE