Misioni i OKB-së arrin në centralin bërthamor në Zaporizhja

vovalbania September 01, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Misioni i OKB-së arrin në centralin bërthamor në Zaporizhja

Një mision i agjencisë bërthamore të Kombeve të Bashkuara ka arritur në centralin ukrainas Zaporizhja, që është nën kontrollin e Rusisë. Vizita e inspektorëve në këtë central po realizohet pavarësisht se granatimet në këtë zonë shkaktuan vonesa në arritjen e tyre, por edhe detyruan që një prej reaktorëve të uzinës të ndalej.

Operatori i centralit, Enerhoatom, tha përmes një deklarate të shkurtër në Telegram se ekipi nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore kishte arritur në Zaporizhja për të kryer misionin e tij.

Gazetarët që gjenden në këtë zonë raportuan se misioni i agjencisë së OKB-së arriti me një konvoj të madh dhe është parë prezencë e shtuar e ushtarëve rusë në afërsi.

Kjo vizitë e delegacionit nga qyteti i Zaporizhjas në centralin me po të njëjtin emër që gjendet në qytetin Enerhobar – që është nën kontrollin rus – u përball me vonesa disa orëshe më 1 shtator, teksa Ukraina dhe Rusia akuzuan njëra-tjetrën për kryerjen e sulmeve në këtë zonë.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, para se ekipi të arrinte në central, deklaroi se aktiviteti i shtuar ushtarak në këtë zonë nuk do të ndalë planet e misionit për të shkuar në central dhe për t’u takuar me stafin.

Situata në centralin e Zaporizhjas – më i madhi në Evropë – vazhdon të paraqesë një shqetësim të madh për komunitetin ndërkombëtar.

Forcat ruse dhe ukrainase kanë akuzuar njëra-tjetrën për granatimin e centralit. Luftimet në këtë zonë kanë rritur shqetësimet për një fatkeqësi të mundshme bërthamore.

Para vizitës së inspektorëve ndërkombëtarë, zyrtarët ukrainas thanë se granatimet ruse detyruan që një prej reaktorëve të ndalej.

“Që nga ora 5 e mëngjesit, granatimet konstante në qytet nuk janë ndalur… Dihet se disa ndërtesa civile janë goditur. Ka edhe viktima, por ende nuk kemi përcaktuar se sa”, thanë zyrtarët ukrainas më 1 shtator.

Oleksandr Starukh, kreu i rajonit të Zaporizhjas, tha se trupat ruse po granatonin “rrugën nëpër të cilën është paraparë të kalojë misioni i agjencisë së OKB-së”.

Për shkak të granatimeve ruse, operatori shtetëror i energjisë në Ukrainë, Enerhoatom, tha se ka ndërprerë funksionimin e një prej reaktorëve të Zaporizhjas. Ndërkaq, një reaktor tjetër është në funksion dhe po mbulon kërkesat me rrymë të centralit.

Por, Ministria ruse e Mbrojtjes, akuzoi forcat ukrainase më herët gjatë 1 shtatorit se po tentonin që të merrnin nën kontroll centralin.

Ministria tha se janë ndërmarrë “masat e nevojshme” për të shkatërruar trupat ukrainase, duke përdorur edhe avionët luftarakë.

Rusia nuk ka dëshmi për këto pretendime dhe të njëjtat nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Ndërkaq, një zyrtar që Rusia ka instaluar në Enehodar, tha se qyteti ishte pa energji elektrike të enjten.

Ndryshe, ekspertët e Kombeve të Bashkuara pritet të bëjnë vlerësimin e dëmeve në central, të përcaktojnë funksionalitetin e sistemeve të sigurisë, të vlerësojnë kushtet e stafit dhe të kryejnë aktivitete urgjente të sigurisë, ka thënë agjencia.

Shtetet e Bashkuara gjatë kësaj jave kanë thënë se “një mbyllje e kontrolluar” e Zaporizhjas do të ishte “opsioni më i sigurt” dhe i ka bërë thirrje Moskës që të pajtohet për çarmatosjen e zonës përreth centralit. Një kërkesë të ngjashme e ka bërë më herët edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50579 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE