Stërvitje serbe pranë kufirit me Kosovën!

vovalbania September 01, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Stërvitje serbe pranë kufirit me Kosovën!

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë njoftoi se forcat e armatosura serbe po zhvillojnë stërvitje ushtarake në Zonën e Sigurisë Tokësore, që gjendet përgjatë kufirit me Kosovën.

Stërvitja po kryhet me qëllimin për të mbajtur një shkallë të lartë të gatishmërisë luftarake të njësive të angazhuara dhe aftësisë së tyre për të reaguar shpejt në rast nevoje, si dhe për të garantuar paqen e sigurinë përgjatë vijës administrative në Kosovë e Metohi.

Siç thuhet në njoftim, “vëmendje e posaçme do t’u kushtohet stërvitjeve të veprimeve luftarake në rast të ndonjë sulmi ndaj njësisë, si dhe taktikave, teknikave e procedurave që përdoren për të parandaluar kalime të paligjshme, aktivitete të grupeve ekstremiste dhe krimin e organizuar”.

Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se forcat e armatosura serbe, të dislokuara në Zonën e Sigurisë Tokësore, kryejnë stërvitje gjatë gjithë vitit si para dislokimit, por edhe për zbatimin e detyrave që kanë në këtë zonë. Sipas autoriteteve serbe të mbrojtjes, “kjo siguron një nivel të lartë të aftësisë për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave, rreziqeve e kërcënimeve që bien në fushën e përgjegjësisë së tyre”.

Këto stërvitje po zhvillohen në kohën kur nga dita e sotme, Serbia për herë të parë pas 11 vjetësh nuk do të lëshojë dokumente hyrje/daljeje për qytetarët e Kosovës, por do të lejojë që të përdorin letërnjoftimet e tyre. Po kështu vepron edhe Kosova me shtetasit e Serbisë.

Për këtë marrëveshje, palët u morën vesh më 27 gusht, pas ndërmjetësimit të diplomatëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Heqja e dokumenteve për hyrje/dalje pasoi përshkallëzimin e tensioneve midis dy shteteve, pasi serbët lokalë në veri ngritën barrikada për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për këto dokumente, por edhe për riregjistrimin e makinave. Po sot, pra më 1 shtator, po ashtu nis afati dymujor për riregjistrimin e makinave që qarkullojnë në veri të Kosovës e që lëshohen nga Serbia.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49284 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE