“Festuam Vitin e Ri…”/ Vetëvrasja për shkak të bullizmit të 41-vjeçares, zbardhen detaje të reja nga dëshmia e bashkëshortit të Bedrie Lokës

vovalbania January 07, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
“Festuam Vitin e Ri…”/ Vetëvrasja për shkak të bullizmit të 41-vjeçares, zbardhen detaje të reja nga dëshmia e bashkëshortit të Bedrie Lokës

Bedrie Loka, 41-vjeçarja që piu fostoksinë për t’u vetëflijuar, u gjet e shtrirë përtokë me shenja jete në tapetin e dhomës së ndenjës në shtëpi rreth orës 07:30 të mëngjesit të datës 2 janar nga bashkëshorti Xhemal Loka.

Sipas dëshmisë së tij në polici, me makinën e të vëllait e kanë dërguar fillimisht në urgjencën e Spitalin e Durrësit për ndihmë, aty ku e kanë lajmëruar se gruaja kishte pirë fostoksinë. Nga gjendja e rëndë ajo u nis për në QSUT dhe një ditë më vonë nuk mundi të mbijetojë për shkak të gjendje së rënduar shëndetësore.

Pasi hetuesit mbërritën në banesë, në vendin ku u gjet e shtrirë përdhe Bedrie Loka, u gjet një shishe plastike me ujë dhe disa kapsula me tub cilindrik, të cilat dyshohet se janë fostoksinë, një pjesë të konsumuara nga 41-vjeçarja.

Në tapetin e dhomës u konstatuan gjurmë ngjyrë gri nga materiali i fostoksinës. Kur dukej se gjithçka mund të ishte si pasojë e një denigrimi që po i bëhej figurës së saj në TikTok, blutë e Durrësit arrestuan bashkëshortin, Xhemal Loka, për të cilin fëmijët e 41-vjeçares i rrëfyen policisë se kishte tentuar ta vriste pasi ishte kthyer nga Greqia, vend ku punonte në mënyrë sezonale. Policia ka dyshime të forta se ishte vetë Loka i cili e çoi deri në vetëflijim bashkëshorten, nënë e 4 fëmijëve. I pyetur pas arrestimit ai kategorikisht nuk pranon të ketë lidhje më ngjarjen.

‘Nuk kam lidhje fare me vetëhelmimin e gruas sime. Ajo e ka bërë këtë për shkak të bulizimit në TikTok. Ka pasur stres dhe ankth të madh në kohët e fundit. Unë mendoj se këtë veprim mund ta ketë kryer për shkak se para rreth një viti persona të paidentifikuar i kanë hapur një adresë në TikTok në emrin e saj.’- tha ai.

Por si e rrëfen marrëdhënien e tij të ditëve të fundit me bashkëshorten tashmë të vetëflijuar?

‘Një natë para ngjarjes Bedria ka qenë në rregull, nuk ka pasur shqetësime e kemi kaluar ne rregull dhe duke festuar Vitin e Ri. Por, prej kohësh kishte shfaqur ide se nuk e përballonte dot për foton që i kanë publikuar në rrjetin TikTok.’- thotë ai.

Policia ka tashmë në dorë aparatin celular të Xhemal Lokës, të cilin pas varrimit tentoi ta fsheh përmes vajzës së tij që të mos binte në duart e policisë. Në brendësi të tij hetuesit kanë gjetur materiale me rëndësi për hetimin, video në të cilat i drejtohet me fjalë fyese dhe kërcënuese 41-vjeçares. Video është regjistruar në ditën e fundit të Vitit të Ri, pasi ishte kthyer nga Greqia dhe pak para vetëvrasje. Kjo video dyshohet se mund te jetë filmuar nga njeri prej fëmijëve dhe Xhemali të mos ketë pasur dijeni.

Marrë shkas nga kjo video, ekspertët e krimeve kibernetike po punojnë për të rikthyer materiale të tjera të fshira që mund të shërbëjnë si prova. Paralelisht, hetuesit më Durrës po punojnë për gjetjen e autorit që hapi profilin fals në TikTok, i cili pritet të gjurmohet përmes IP-së, për të shkuar deri tek lokacioni i vendndodhjes. Xhemal Loka pritet të dal para gjykatës për masë sigurie nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes dhe armëmbajtjes pa leje, pasi iu gjet në shtëpi një automatik me dhjetëra fishekë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50744 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE