Replika në komision, Ibrahimaj: Paketë të dytë antikrizë. Braçe: Deputetët s’mund ta marrin vesh nga TV

vovalbania September 06, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Replika në komision, Ibrahimaj: Paketë të dytë antikrizë. Braçe: Deputetët s’mund ta marrin vesh nga TV

Në mbledhjen e komisionit të ekonomisë, ku diskutohet sot akti normative për rishikimin e buxhetit, ministrja e ekonomisë Delina Ibrahimaj, njoftoi se shumë shpejt qeveria do të bëjë publike paketën e dytë të ndihmës sociale. Ndër të tjera Ibrahimaj tha se akti normativ që po diskutohet sot, i përgjigjet krizës së energjisë dhe rritjes së cmimeve.

“Janë 6.1 miliardë lekë që do të përdoren për paketën. Ndërkohë kemi rritur pritshmëritë për të ardhurat dhe kemi ulur pritshmëritë për deficitin buxhetor. Rritja ekonomike për vitin 2022 do të jetë më shumë se 3.2%. Parashikimet tona për fundin e vitit 2022, por edhe për 2023 flasin për reduktim të rritjes ekonomike, të ndikuar më së shumti nga frika e uljes së konsumit e ndikuar prej çmimeve.” -u shpreh Ibrahimaj.

Në replikë me ministren Braçe kërkoi që së paku deputetët e kuvendit, të mos e marrin vesh paketën e dytë të ndihmës përmes televizorit ndërsa theksoi se paketa duhet të ishte njoftuar pasi prej 3 muajsh, kategoritë në nevojë nuk po marrin ndihmë, në një situatë kur cmimet janë të papërballueshme, sipas tij.

“Kjo zgjatja kur fillon. Sepse iku qershori, korriku iku , gushti iku dhe bëhet fjalë për shtresat më vulnerabël të shoqërisë. Të cilët janë goditur më fort nga gjithë të tjerët nga rritja e çmimeve, që vijojnë të mbeten të larta. Sa kohë që tre muaj s’kanë marrë asgjë, tani që ngelen edhe katër muaj nga ky vit, kur do të fillojë zgjatja, kur do e marrin këta njerëz atë mbështetje buxhetore. Dhe e dyta çfarë do marrin, do të jetë e njëjta paketë, në sasi apo e njëjta’, -u shpreh Braçe.

Braçe vlerësoi gjithashtu se qeveria duhet të shpallë sa më shpejt të jetë e mundur planin e kursimit të energjisë.

“Padyshim që kemi detyrim furnizimin me energji, por duhet të llogaritet çdo qindarkë për të garantuar energjinë, por është e domosdoshme një plan kursimi që ende nuk është i qartë. Të kursesh nuk është as tallje dhe as komunizëm por jetike. Qeveria duhet të shpallë një plan kursimi për institucionet publike, gjithë Evropa po e bën vetëm ne bëjmë harakirin me energjinë, zgjohuni në 5 të mëngjesit dhe shikoni se çfarë ndriçon kot. Shumë mirë që keni dhënë 28 miliardë lekë për energjinë elektrike por ka ardhur koha që kush e do energjinë elektrike për luks duhet ta paguajë më tepër dhe jo sa një pensionist. Kjo nuk shkon më. Ka muaj që e thoni po nuk shkon më.

Paketa sociale më shqetëson pafund kjo gjë. Paketa sociale duhet të kishte dalë sepse akti normativ që ka dalë që në korrik. Imagjinoni një çift pensionistësh që marrin 22 mijë lekë, imagjinoni familjet me ndihmë ekonomike që shkon maksimumi 36-52 mijë lekë të vjetra. Këta njerëz i kanë sytë vetëm tek paketa sociale, nuk i kanë gjëkund tjetër”, tha Braçe.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48725 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE