OKB: 19 vende rrezikojnë rritje të pasigurisë për ushqim!
Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se “në 19 vende në botë, pasiguria akute për ushqim pritet të rritet me shpejtësi deri në fund të vitit, pjesërisht për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë”. Gjetjet u bënë publike në një raport të përbashkët të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Agrikulturë, si dhe Programi Botëror i Ushqimit.
Këto organizata përmendin luftën në Ukrainë, konfliktet e tjera, motin ekstrem, zhvendosjet e njerëzve dhe mungesën e stabilitetit ekonomik, si “nxitësit kyçë” të pasigurisë ushqimore. Raporti bën thirrje për “veprime urgjente humanitare që të ruhen jetët e njerëzve e të parandalohet uria në shtetet ku pasiguria aktuale për ushqim pritet të përkeqësohet”, në tre muajt e ardhshëm.
Thatësira në Afrikë ku mungesa e ushqimeve ka qenë edhe rezultat i bllokimit të grurit ukrainas pas shpërthimit të luftës është veçuar si faktor që po çon njerëzit “në prag të urisë”. Në raport përmendet edhe ndikimi i përmbytjeve në Pakistan, shtet i cili varet shumë nga importet ruse e ukrainase të grurit. Siria në Lindjen e Mesme dhe vendet e Amerikës Latine, si Guatemala, Hondurasi e Haiti, po ashtu janë në mesin e 19 shteteve të rrezikuara. Në total, rreth 970 mijë njerëz pritet të përballen me “uri me pasoja katastrofike” në gjithë botën, nëse nuk merren masa për të vepruar.
Afganistani u rendit mes pesë shteteve të rrezikuara më keq, bashkë me Etiopinë, Nigerinë, Sudanin Jugor, Somalinë e Jemenin. Mbi 26 milion njerëz në Afrikë, pritet të përballen me nivele të ndryshme të krizës, për shkak të pasigurisë ushqimore. Sipas Kombeve të Bashkuara, rritja e një tendence të tillë rrit rrezikun për “trazira civile”.
Në korrik, Kombet e Bashkuara dhe Turqia ndërmjetësuan një marrëveshje mes Moskës e Kievit, për të hequr bllokadat në eksportet e grurit në Ukrainë, një prej furnizueseve më të mëdha në botë.