Danimarka rrit kontrollet kufitare pas djegieve të Kuranit!

vovalbania August 04, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Danimarka rrit kontrollet kufitare pas djegieve të Kuranit!

Policia e Danimarkës është duke shtrënguar kontrollet kufitare pas djegieve të fundit të Kuranit, akte që kanë ndikuar në situatën e sigurisë. Lajmin e bën të ditur Ministria e Drejtësisë. Një vendim të ngjashëm mori edhe Suedia më herët gjatë javës.

Në Danimarkë e Suedi, aktivistë të ndryshëm kanë ngjallur zemërim me veprimet e tyre provokuese duke dëmtuar e djegur disa kopje të librit të shenjtë të myslimanëve. Janë rritur kërkesat që qeveritë t’i ndalojnë këto veprime.

Në një deklaratë, ministria daneze e Drejtësisë theksoi:

Autoritetet besojnë se në këtë kohë është e nevojshme të rrisim fokusin se kush hyn në Danimarkë, në mënyrë që t’iu përgjigjemi kërcënimeve specifike.

Kontrollet më të ashpra kufitare do të zbatohen fillimisht deri më 10 gusht.

Djegiet e fundit të Kuranit, siç kanë thënë edhe zyrtarët e rendit kanë ndikuar në situatën aktuale të sigurisë.

Si Danimarka, ashtu edhe Suedia i kanë dënuar aktet e djegies së Kuranit e bënë të ditur se janë duke shqyrtuar mundësinë e hartimit të ligjeve të reja që do të ndalonin diçka të tillë. Por, kritikët kanë vënë në dukje se të tilla vendime rrezikojnë lirinë e shprehjes, që qytetarëve u garantohet me Kushtetutë.

Myslimanët e konsiderojnë Kuranin si fjalën e Zotit dhe dëmtimi i qëllimshëm i librit është shumë ofendues për ta. Pak ditë më parë, kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson tha se ndihet “shumë i shqetësuar” për djegiet e Kuranit në shtetin skandinav.

Aksionet islamofobike të grupeve të vogla në Suedi e në Danimarkë, në të cilat u dogjën kopje të Kuranit, kanë nxitur protesta të ashpra dhe kërcënime në disa vende myslimane. Reagimet në Irak, qeveria e të cilit e përzuri ambasadorin suedez, ishin në veçanti të dhunshme. Shërbimi i Inteligjencës i Suedisë paralajmëroi se djegia e Kuranit ka krijuar rrezik të madh në këtë vend.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE