Rritja e çmimeve, protesta në Francë/Britania me minibuxhet për të nxitur rritjen ekonomike!

vovalbania September 29, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rritja e çmimeve, protesta në Francë/Britania me minibuxhet për të nxitur rritjen ekonomike!

Në Francë, sindikatat bënë thirrje për greva kombëtare dhe protesta kundër rritjes së çmimeve e reformës së pensioneve, të propozuar nga presidenti Emmanuel Macron. Transporti publik dhe shkollat do të jenë fokusi kryesor i grevave. Në Paris, metroja duhej të funksiononte pa kufizime, por u njoftua ndërprerje.

Inflacioni në Francë, aktualisht është shumë më i ulët se në vendet e tjera europiane. Reforma e pensioneve rezulton më e diskutuara e momentit, ndërsa synon rritjen e moshës së daljes në pension nga 62 vjeç, që është aktualisht, në 64 ose 65 vjeç.

Sindikatat dhe opozita janë të ndara në protestat e tyre kundër qeverisë në këtë moment. Ndërsa sindikatat protestojnë sot, socialistët dhe të gjelbrit do të mbajnë protestën e tyre në mesin e muajit të ardhshëm, më 16 tetor.

Me inflacion përballet edhe Britania e Madhe ku kryeministrja Liz Truss këmbëngul se “masat e qeverisë për uljen e taksave janë plani i duhur përballë rritjes së kostove të energjisë dhe për të nxitur rritjen ekonomike pavarësisht çrregullimeve të tregut”. Truss mbështet minibuxhetin, ndërsa këmbëngul se nevojiten veprime urgjente.

Duhet të ndërmerren veprime urgjente për të rritur ekonominë e Britanisë së Madhe dhe gjithashtu për t’u përballur me inflacionin. Sigurisht që kjo do të thotë të marrim vendime të diskutueshme dhe të vështira, por unë jam e përgatitur ta bëj këtë si kryeministre e vendit, sepse kjo është e rëndësishme për ekonominë tonë. Minibuxheti është plani i duhur.

Deklaratat vijnë pavarësisht thirrjeve në rritje, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), për një kthesë të kundërt në disa prej politikave të shpallura të premten e kaluar, pas rënies së paundit në nivel rekord kundrejt dollarit amerikan të hënën.

Banka e Anglisë nisi programin emergjent të blerjes së bonove qeveritare për të parandaluar daljen jashtë kontrollit të kostove të huamarrjes dhe për të shmangur një rrezik material për stabilitetin financiar të Britanisë së Madhe.

Banka njoftoi se po ndërhynte për të blerë deri në 65 miliardë euro (70 miliardë dollarë) obligacione qeveritare, me një ritëm urgjent, pasi politikat ekonomike të qeverisë shkaktuan rënien e paundit dhe një shitje në tregun e obligacioneve shtetërore, i cili kërcënoi të nxiste kolapsin e disa fondeve të pensioneve në Britaninë e Madhe.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE