Protestat në Iran, reagon Human Rights Watch!

vovalbania October 06, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Protestat në Iran, reagon Human Rights Watch!

Organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch (HRW) akuzon autoritetet e Teheranit për përdorimin e tepruar të forcës, përfshirë atë vdekjeprurëse, kundër pjesëmarrësve në protestat e zhvilluara në Iran. Manifestimet anti-qeveritare u nxitën nga vdekja e një të reje në kohën kur ishte në paraburgim.

22-vjeçarja Mahsa Amini ndërroi jetë në datën 16 shtator, vetëm tre ditë pasi u ndalua në Republikën Islamike nga Policia e Moralit, me pretendimin se kishte shkelur rregullat e vendosjes në mënyrën e duhur të hixhabit apo shamisë së kokës. Vdekja e saj shkaktoi një valë protestash në të gjithë vendin, pavarësisht paralajmërimeve të shpeshta të qeverisë për përdorimin e “të gjithë forcës në dispozicion” ndaj protestuesve. Të paktën 154 persona, përfshirë nëntë fëmijë, janë vrarë gjatë 18 ditëve të protestave, referuar shifrave që jep një grup për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Pa mëshirë, autoritetet iraniane shtypën protestat e gjera anti-qeveritare, duke përdorur forcë të tepruar e vdekjeprurëse. Madhësia e trazirave në Iran ka qenë e vështirë të verifikohet, pasi qeveria iraniane bllokoi akseset në rrjetet sociale, si dhe në internet. Dëshmitarët raportuan për tubime spontane në mbarë vendin, përfshirë protesta të vogla, me qytetarët që shprehën indinjatë edhe duke qëndruar në katet më të larta të ndërtesave.

Po ashtu, shumë gra e vajza prenë flokët e dogjën shamitë e kokës. Një eurodeputete tërhoqi vëmendjen me një veprim të ngjashëm. Në kryeqytetin iranian, Teheran, lagjet Tehranpars dhe Ekbatan kanë qenë epiqendër e manifestimeve, si dhe u njoftua për të shtëna me armë që gjithashtu u dëgjuan në sfond.

Nga komuniteti ndërkombëtar, Human Rights Watch kërkon që të ndërmarrë masa e po ashtu të sigurohet që përgjegjësit do të përgjigjen për veprimet e tyre. Edhe demonstrues në Gjermani, Greqi, Itali, Spanjë, Liban, Turqi, Kanada e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u mblodhën në shenjë solidariteti me protestuesit iranianë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49207 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE