Impiantet me energji diellore, tre aplikime të reja!

vovalbania October 12, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Impiantet me energji diellore, tre aplikime të reja!

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, MIE bëri të ditur se mbërritën tre aplikime të reja për ndërtimin e impianteve fotovoltaikë. Sipas MIE-së, dy prej tyre janë me kapacitet të instaluar deri në 5MW ndërkohë që një aplikim tjetër rezulton për një impiant me kapacitet 25 MW. Pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dy shoqëritë “Vana solar park” e “Green vitality” paraqitën aplikimin për ndërtimin e dy impianteve fotovoltaikë për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, secili me kapacitet 5 MW, në fshatin Vanë të Delvinës.

Sipas këtij dikasteri, edhe bashkimi i përkohshëm i shoqërive “HSD energy”, “IPOWER” e “Lumiere du soleil” paraqiti aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me kapacitet 25 MW, në fshatin Jagodinë të Elbasanit.

Këtë vit, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ka fluks kërkesash për të investuar në impiante fotovoltaikë, për një kapacitetet prej 610 megavat/orë, të cilat priten që të nisin gjenerimin. Klima e Shqipërisë ofron rreth 2.400 orë diell në vit e një mesatare prej 240-300 ditë me diell, si dhe me fuqi ere te konsiderueshme në bregdet.

Për të nxitur zhvillimin e këtij sektori, qeveria ka ndërmarrë edhe politika lehtësuese, siç konkretisht është përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) i të gjitha makinerive e pajisjeve që do të përdoren për ndërtimin e projekteve të prodhimit të energjisë nga dielli dhe era, për investime që arrijnë vlerën 50 milion lekë.

Programi për subvencionimin me 70% të shumës për çdo familje që do të instalojë panele diellore në banesë për ngrohjen e ujit, është një instrument tjetër që po zbaton qeveria për të përballuar krizën energjetike. Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku informoi lidhur me programin për subvencionimin me 70% të shumës për çdo familje që do të instalojë njësi diellore për ngrohjen e ujit.

Nga 1 tetori është çelur thirrja për subjektet që tregtojnë por edhe instalojnë panelet diellore. Balluku tha se gara pranë Agjencisë së Eficencës së Energjisë do të jetë e hapur për subjektet deri më 18 tetor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49570 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE