Kostot buxhetore për importet e energjisë, sa investimet publike!

vovalbania October 14, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kostot buxhetore për importet e energjisë, sa investimet publike!

Ministra e Financave përllogariti se këtë vit, kostot buxhetore për subvencionin e çmimit të energjisë do të përmbyllen në nivelin e 28 miliardë lekëve ose rreth 237 milion euro. Të dhënat u bënë publike në raportimet për Paketën Fiskale 2023. Kjo shumë është në formën e mbështetjes direkte e garancive të lëshuara për kompanitë publike të energjisë. Krahasuar me zërat e tjerë buxhetorë, subvencioni i energjisë i ka kushtuar Buxhetit të Shtetit sa zëri i shpenzimeve të brendshme të investimeve publike.

Ministria e Financave shpjegoi se për shkak të krizës botërore energjetike, gjatë vitit 2022 është konstatuar rritje e jashtëzakonshme e çmimit të energjisë në treg, çka solli pasoja negative në shumë sektorë të ekonomisë, duke dhënë ndikim të drejtpërdrejtë në koston e të gjitha mallrave e çmimeve në treg dhe rrjedhimisht në rritje të kostos së jetesës.

Si pasojë e rritjes së jashtëzakonshme të çmimit të energjisë, qeveria u detyrua të mbrojë konsumatorin familjar e biznesin e vogël, duke alokuar fonde nga Buxheti i Shtetit për mbajtjen e çmimit për familjarin të pandryshuar, si dhe për biznesin në nivele të pranueshme. Në vitin 2022, Buxheti i Shtetit shpenzoi 28 miliardë lekë për subvencionimin e diferencës së çmimit për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël, shifër e krahasueshme me totalin e investimeve publike me fonde të brendshme të planifikuar për një vit.

Stabiliteti fiskal i vendit po cënohet nga kriza energjetike e interesat më të larta të borxhit, të cilat edhe në vitin 2023 do të kërkojnë më shumë financime nga Buxheti i Shtetit. Për të lehtësuar disi situatën, Ministria e Financave propozoi që në Paketën Fiskale të vitit 2023, të përjashtohen nga TVSH-ja deri më 31 dhjetor 2023 disa artikuj me mbrojtjen dhe suportimin e individëve, në kushtet e një krize energjetike si kjo e tanishmja. Artikujt janë pajisje të tilla si akumulatorë baterish që përdoren në instalimet e paneleve diellore.

Gjithashtu, për të nxitur krijimin e një burse, qeveria do të miratojë një skemë të veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë, duke përjashtuar nga TVSH-ja transaksionet e blerjes dhe shitjes së energjisë nga Bursa Shqiptare e Energjisë. Masa e qeverisë synon përjashtimin nga TVSH-ja në import apo furnizimi brenda vendit i energjisë elektrike të destinuar për t’u shitur nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë, si dhe kalimin e përgjegjësisë për pagesën e TVSH-së./ Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49450 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE