Dita e 234-rt e luftës në Ukrainë/Sulmet ruse në Kiev dëmtuan rëndë rrjetin elektrik!
Në Ukrainë vazhdojnë sulmet e forcave ruse që siç bëjnë të ditur sot autoritetet ukrainase, gjatë natës bombarduan disa rajone të vendit. Konfirmohet se në Kiev u shënuan dëme të rënda në infrastrukturën energjetike. Ndërkohë, infrastruktura në Zaporizhja nuk iu shpëtoi goditjeve nga bombardimet e trupave të Moskës. Për këtë arsye, guvernatori Oleh Staruch iu bëri thirrje banorëve të kërkonin vendstrehime të sigurta.
Po ashtu, autoritetet lokale raportuan për pesë dronë të prodhimit iranian, të kapur në rajonin fqinj të Dnipropetrovskut. Mbi 50 predha nga raketat e shumta dhe artileria e rëndë goditën zonën e Nikopolit në të njëjtin rajon ukrainas, duke plagosur të paktën dy persona. Rreth orës 07:00 të mëngjesit me atë lokale, një alarm ajror ra në të gjithë Ukrainën për shkak të frikës nga sulme të tjera. Ushtria ukrainase filloi një ofensivë në Kherson. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është i mendimit se “Rusia gjendet e zhytur në një atmosferë humbjeje e dëshpërimi”.
Në një tjetër zhvillim të lidhur me luftën ruse në Ukrainë e që vazhdon prej datës 24 shkurt, qeveria amerikane njoftoi për të tjera dërgesa të armëve në Ukrainë, në vlerë totale prej 725 milion dollarësh. Paketa e re e ndihmës së sigurisë për Ukrainën përfshin sisteme raketore me lëvizshmëri të lartë (HIMARS), si dhe municione, makina të blinduara e pajisje mjekësore, siç bëjnë të ditur Departamenti amerikan i Shtetit dhe Pentagoni. Në një deklaratë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken theksoi:
Ndihma vjen në vazhdën e sulmeve brutale me raketa të Rusisë ndaj civilëve në të gjithë Ukrainën dhe provave në rritje të mizorive nga forcat ruse. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin e Ukrainës, ndërsa ata mbrojnë lirinë e pavarësinë e tyre, me guxim të jashtëzakonshëm e vendosmëri të pakufishme.
Pak ditë më parë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se aleatët janë të përkushtuar për të dërguar armë në Ukrainë “sa më shpejt të jetë e mundur”. Me paketën e re, ndihma që Uashingtoni ka ofruar për Kievin që nga koha kur nisi pushtimi rus i Ukrainës, arrin në vlerën mbi 18.3 miliardë dollarë. Edhe Arabia Saudite premtoi 400 milion dollarë ndihma për Ukrainën.