Sot nis viti akademik, pedagogët në protestë për pagat!

vovalbania October 17, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sot nis viti akademik, pedagogët në protestë për pagat!

Sot është data e nisjes së vitit të ri akademik, por pedagogët shprehen të vendosur për të vazhduar protestat e bojkotuar mësimin, derisa t’iu plotësohen kërkesat, përfshirë rritjen e pagave. Nga tubimi i 14 tetorit para Universitetit të Arteve në Tiranë, paralajmëruan se nëse qeveria nuk reagon, nuk do të hyjnë në auditore.

Po ashtu theksuan se nuk mjafton rritja 7% nga Buxheti i Shtetit dhe 8% nga vetë universiteti. Ndërkaq, iu bënë thirrje studentëve të bashkohen nën sloganin: “Investim për arsim cilësor”. Fundjava që lamë pas ishte afati i fundit për plotësimin e kushteve. Pedagogët shpjeguan se më 17 tetor do të jenë në fakultete për të pritur studentët e viteve të para e më pas të dalin sërish në protestë.

Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, ministrja e Arsimit, Evis Kushi iu drejtua me një mesazh pedagogëve. Kushi tha se në vend të konfrontimit, zgjidhja më e mirë është ulja në bisedime konstruktive, duke mirëkuptuar kushtet reale e burimet që janë në dispozicion.

Shpeshherë gjendemi përballë sfidave të vështira. Shpeshherë kemi debate me njëri-tjetrin. Shpeshherë kemi mosdakordësi. Por në vend që të konfrontohemi unë besoj që zgjidhja më e mirë është që ne të ulemi bashkërisht pikërisht me frymë konstruktive me frymë dialogu me frymë ndershmërie, dhe duke mirëkuptuar njëri-tjetrin. Duke mirëkuptuar kushtet reale dhe burimet që kemi në dispozicion.

Ne nga ana jonë do ta bëjmë këtë. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë pa u ndalur në asnjë moment. Do ta bëjmë edhe nga ana financiare, siç e bëmë javën e kaluar, kur miratuam rritjen e pagave të pedagogëve me 15%, nga të cilat 7% do të mbulohet menjëherë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër me të ardhurat e universiteteve.

Dhe këtu dua të theksoj që të ardhurat e universiteteve nuk janë vetëm tarifat e studentëve. Tarifat e studentëve janë vetëm një komponent i burimit të të ardhurave. Por një nga risitë e ligjit të arsimit të lartë ishte që i jep mundësi universiteteve që të ofrojnë shërbime për palët e treta dhe duke gjeneruar në këtë mënyrë të ardhura, me ekspertizë, me hartim projektesh, me asistencë teknike, me oponencë teknike. Ka shumë universitete që e bëjnë më së miri këtë duke siguruar të ardhura që më pas mund t’i shfrytëzojnë më pas për rritjen e pagave të pedagogëve.

E ndërkohë, ne do të punojmë edhe për të mbështetur kërkimin shkencor, edhe për infrastrukturën e kërkimit shkencor. Por ndërkohë do të kërkoja dhe nga ju sa më shumë përkushtim, sa më shumë përpjekje të përbashkëta, sa më shumë angazhim, në mënyrë që të gjejmë zgjidhje për çdo shqetësim, për çdo problematikë që kemi. Të bëjmë më të mirën për studentët tanë.

Ne tashmë kemi një dialog me universitetet, me rektorët, me sindikatat, me pedagogët. Le ta shfrytëzojmë këtë komunikim për të bërë më të mirën për universitetet tona, më të mirën për studentët, por më të mirën edhe për pedagogët sepse jam e bindur se ata meritojnë shumë më shumë dhe patjetër që do të vazhdojmë të punojmë në mbështetje të tyre.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48511 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE