Zelensky: Me përdorimin e dronëve iranianë, Rusia ka falimentuar ushtarakisht!

vovalbania October 19, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zelensky: Me përdorimin e dronëve iranianë, Rusia ka falimentuar ushtarakisht!

“Përdorimi nga forcat ushtarake ruse i dronëve iranianë për të sulmuar Ukrainën, tregon se Rusia ka falimentuar, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ushtarak”. Kështu deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një fjalim para popullit.

Sulmet ajrore të dy javëve të fundit shkatërruan gati një të tretën e stacioneve të energjisë elektrike në Ukrainë. Prej dekadash, Rusia ka shpenzuar miliarda dollarë për industrinë ushtarake dhe në fund, iu gjunjëzua Teheranit për të siguruar dronë të thjeshtë e raketa. Në aspektin strategjik, ky veprim nuk e ndihmon Moskën. Kjo vetëm i dëshmon botës se Rusia është në rrugën drejt humbjes e po tenton të tërheqë edhe dikë tjetër në mesin e bashkëpunëtorëve. Natyrisht, ne do të sigurohemi për një reagim të duhur ndërkombëtar.

Irani e mohon se furnizon Rusinë me dronë dhe Kremlini thekson se “nuk ka informacione nëse janë përdorur dronët kamikazë iranianë”. Por, Inteligjenca britanike bëri të ditur se dronët e shfytëzuar nga Rusia janë identifikuar si pajisje iraniane. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Departamenti amerikan i Shtetit duke rënë dakord me këtë vlerësim.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, e akuzoi Teheranin për gënjeshtra kur deklaroi se “dronët iranianë nuk janë përdorur nga Rusia në Ukrainë”.

Javën e kaluar, Moska nisi një valë të re të sulmeve, duke goditur komplekse banesash në disa qytete ukrainase. Zelensky vuri në dukje se sulmet kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike në Ukrainë dhe “nuk ka hapësirë për negociata” me presidentin rus, Vladimir Putin.

Lufta në Ukrainë nisi në datën 24 shkurt të këtij viti. Shefi i Kremlinit, Vladimir Putin e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi u përgjigj ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona e miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49637 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE