Komentet mbi antisemitizmin, presidentja e Harvardit kërkon falje!

vovalbania December 09, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Komentet mbi antisemitizmin, presidentja e Harvardit kërkon falje!

Presidentja e Universitetit të Harvardit, Claudine Gay, kërkoi falje, mes presionit në rritje për dorëheqje të presidentes së Universitetit të Pensilvanisë, lidhur me dëshminë e tyre në një seancë dëgjimore në Kongres për antisemitizmin. Kritikët, duke filluar nga Shtëpia e Bardhë, thanë se drejtuesit e universiteteve elitë të SHBA-ve kanë dështuar që t’i japin përgjigje rritjes së antisemitizmit në kampuse.

Në një intervistë për gazetën studentore “The Crimson”, Gay u shpreh se u përfshi në një shkëmbim “të nxehtë” në një seancë dëgjimore të Komisionit të Arsimit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe nuk arriti të denonconte siç duhet, kërcënimet për dhunë ndaj studentëve hebrenj.

Këtë javë, ligjvënësit republikanë akuzuan këto universitete se dështuan të ofrojnë mbrojtje për studentët hebrenj ndërsa drejtuesit e tyre refuzuan të thonë qartë nëse thirrjet e grupeve studentore pro-palestineze, për kryerje të gjenocidit ndaj hebrejve, thyejnë kodin për bullizëm e ngacmim.

Një donator i madh i Universitetit të Pensilvanisë, Ross Stevens njoftoi se do të tërheqë një dhuratë në vlerën e 100 milion dollarëve, për shkak të “qëndrimit ndaj antisemitizmit në kampus” dhe nëse nuk zëvendësohet presidentja e tij, Liz Magill.

Dëshmitë e zonjave Gay e Magill kanë shkaktuar reagime të forta në vend, sikurse dhe qëndrimi i Presidentit të MIT-it, një tjetër universitet elitë, i cili gjithashtu dëshmoi të martën para Komisionit të Arsimit të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët. Donatorë, ish-studentë e anëtarë të Kongresit nga të dyja partitë kanë kërkuar dorëheqjen e tyre.

Tonet e nxehta u shkaktuan për shkak të disa pyetjeve, si ajo nëse thirrjet për gjenocid ndaj hebrenjve, shkelin kodin e sjelljes në universitete. Në seancën dëgjimore, Gay tha se kjo varej nga konteksti, duke shtuar se kur “një fjalim kalon në sjellje, kjo shkel politikat e universiteteve”.

Por, më pas u shpreh se i vinte keq për përgjigjen e theksoi se u gjend në një moment shkëmbimesh të nxehta me ligjvënësit, rreth politikave e procedurave. Ajo pranoi se duhet t’i kishte dënuar thirrjet për dhunë kundër komunitetit hebre e kërcënimet ndaj studentëve hebrenj, si qëndrime nuk kanë vend në Harvard e që do të kundërshtohen gjithmonë.

Edhe Magill u tërhoq nga disa prej komenteve, duke thënë se thirrjet për gjenocid ndaj popullit hebre, i konsideron “ngacmim ose frikësim”. Gjithashtu, deklaroi se do të nisë një rishikim të politikave të Universitetit Penn.

Megjithëse janë udhëhequr nga Kushtetuta amerikane, nevojitet një sqarim e rivlerësim i tyre.

Universitetet në Shtetet e Bashkuara janë akuzuar se kanë dështuar në mbrojtjen e studentëve hebrenj mes njoftimeve për rritje të antisemitizmit pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, më 7 tetor. Të tre presidentët u thirrën para komisionit për t’iu përgjigjur akuzave, por përgjigjet e tyre nxitën reagime të reja të ashpra.

Shtëpia e Bardhë iu bashkua kritikave.

Thirrjet për gjenocid janë monstruoze dhe në kundërshtim me gjithçka që përfaqësojmë si vend.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE