Heqja e fashës së energjisë, ERE rrëzon kërkesën e deputetes Tabaku!

vovalbania October 27, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Heqja e fashës së energjisë, ERE rrëzon kërkesën e deputetes Tabaku!

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë, ERE rrëzoi kërkesën e deputetes demokrate, Jorida Tabaku për heqjen e fashës 800 kWh në muaj për konsumatorët familjarë. Tabaku shprehej se “vendosja e fashës do të çonte në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 100 mijë familje”. Deputetja theksonte se “çmimin e vendos ERE, ndonëse propozohet nga qeveria”.

Sektori i energjisë është një nga ata me abuzimet më të larta dhe mundësia për të rekuperuar është tejet e lartë. Çmimi në bursa ka rënë dhe është i njëjtë me një vit më parë. Buxheti i Shtetit, pra taksat e shqiptarëve, kanë shpenzuar 280 milion euro, pikërisht për të mbështetur sektorin e energjisë elektrike. Asnjë argument i qëndrueshëm që mbështet rritjen e çmimit për mbi 100 mijë familje.

Këtë kërkesë të deputetes së PD-së, Tabaku rrëzoi sot bordi i ERE-s.

Më 23 shtator, bordi i ERE-s vendosi që çmimi i shitjes së energjisë elektrike për konsumin mbi 800 kWh/muaj, për klientët familjarë të jetë 42 lekë/kWh. Ky çmim do të jetë i aplikueshëm për periudhën 1 tetor – 31 dhjetor 2022 dhe do të ketë efekte vetëm për fashën e konsumit mbi 800 kWh/muaj. Për të gjithë klientët familjarë, sasia e energjisë prej 800 kWh e konsumuar gjatë çdo muaji do të mbetet e njëjtë pra 9.5 lekë/kWh.

Por, qeveria vendosi të mos e aplikojë fashën 800 kWh gjatë muajit tetor, pas përmirësimit të situatës hidrike në kaskadën e Drinit, si dhe uljes së konsumit nga abonentët. Ndërsa për muajin nëntor vendimi do të merret brenda datës 10 nëntor dhe do të jetë i ndikuar nga situata hidrike.

Autoritetet kanë apeluar qytetarët të kursejnë energjinë dhe zëvendëskryeministrja njëherazi edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar se konsumi në 25 ditët e para të muajit tetor është 5% më i ulët, krahasuar me tetorin e 2021-shit.

Ky tregues ka rol të rëndësishëm në vendimmarrje për mosaplikimin e fashës edhe në nëntor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48753 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE