Shqipëria bie në Indeksin e Sundimit të Ligjit 2022!

vovalbania October 27, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Shqipëria bie në Indeksin e Sundimit të Ligjit 2022!

Shqipëria pësoi rënie në Indeksin e Sundimit të Ligjit 2022, matësin e gjendjes së shtetit ligjor në botë. Ky indeks publikohet nga “World Justice”, organizatë ndërkombëtare e shoqërisë civile, që analizon ecurinë e disa prej aspekteve më domethënës, të lidhur me ligjin dhe të drejtën, në 140 vende.

Vendi ynë renditet i 87-ti në listë, ndërkohë që një vit më parë pozicionohej në vendin e 84-rt. Tetë janë faktorët kryesorë mbi të cilët mbështetet kjo renditje, duke nisur me kufizimin e kompetencave qeveritare që nënkupton se deri në çfarë pike institucionale dhe kushtetuese kufizohen zyrtarët, për të mbajtur përgjegjësi para ligjit.

Këtu përfshihet edhe liria e shtypit jashtë kontrollit të qeverisë e në këtë tregues vendi ynë është mjaft poshtë në renditje, i 105-ti mes 140 shteteve të tjera. Treguesi tjetër i rëndësishëm është mungesa e korrupsionit, që analizon tre forma: ryshfetin, ndikimin e papërshtatshëm nga interesi publik dhe privat e shpërdorimin e fondeve publike apo burimeve të tjera.

Edhe këtu, kemi rrëshqitje në vendin e 107-të nga viti i kaluar, ku ishim të 105-ët. Në treguesin e radhës, transparencën e qeverisë, rezulton rënie me dy vende: tani jemi në vendin e 84-rt ndërsa më 2021-shin ishim në vendin e 82-të.

Tre vende ka zbritur Shqipëria në renditje, edhe sa i tregon rendit e sigurisë, ku merret në shqyrtim edhe garantimi i sigurisë së individit e pronës. Në këtë tregues kemi zbritur nga vendi i 47-të në atë të 50-të.

Rënie ka edhe në treguesin e drejtësisë civile e po kështu në atë të së drejtës kriminale, një skanim i sistemit të drejtësisë duke përfshirë nga policia tek avokatët, prokurorët, gjyqtarët apo Policia e Burgjeve.

Teksa në përgjithësi grafiku i “World Justice” e vendos Shqipërinë 4 vende poshtë Serbisë që është e 83-ta, Kosova rezulton shumë herë më lart, në vendin e 57-të në rang global. Sipas raportit, Kosova ka shënuar një progres prej 2.4 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm. Sa për Shqipërinë, praktikisht dy janë kriteret e vlerësimit që penalizuan më fort vendin tonë: mungesa e llogaridhënies nga pushtetarët dhe korrupsioni.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48802 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE