Protestat në Iran, OKB thirrje policisë të shmangë forcën!

vovalbania October 29, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Protestat në Iran, OKB thirrje policisë të shmangë forcën!

Kombet e Bashkuara shprehin shqetësim në rritje lidhur me vdekjet e raportuara në protestat anti-qeveritare në Iran. Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric:

Ne dënojmë të gjitha rastet që rezultuan me vdekje ose lëndime serioze të protestuesve dhe përsërisim se forcat e sigurisë duhet të shmangin çdo përdorim të panevojshëm ose joproporcional të forcës kundër protestuesve paqësorë.

Qeverisë iraniane në Teheran, Kombet e Bashkuara i kërkojnë të respektojë të drejtat e njeriut, duke vënë në dukje se “kriza mund dhe duhet të vihet nën kontroll përmes dialogut”.

Një ditë më parë, manifestuesit u përballën me forcat e sigurisë në qytetin juglindor të Zahedanit, ku pas disa javësh trazirash e demonstratash të nxitura nga vdekja e një të reje të arrestuar nga Policia e Moralit, vazhdon të rritet bilanci i viktimave. Qyteti i Zahedanit, ku u protestua edhe kundër përdhunimit të një vajze nga një oficer policie është bërë rajoni më vdekjeprurës i trazirave që pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, muajin e kaluar.

Protestat mbarëkombëtare janë shtrirë në të gjithë Republikën Islamike, në më shumë se 125 qytete. Të paktën 270 njerëz u vranë dhe rreth 14 mijë protestues u arrestuan, referuar shifrave të dhëna nga grupi i aktivistëve të të drejtave të njeriut në Iran.

Sipas tyre, “vetëm në Zahedan, rreth 100 njerëz janë vrarë që nga tubimi i 30 shtatorit”, që shkaktoi një reagim të dhunshëm të policisë. Demonstratat janë kthyer në kërcënimin më të madh për qeverinë teokratike të vendit që nga demonstratat e “Lëvizjes së Gjelbër” të vitit 2009. Gratë vazhdojnë të heqin hixhabet gjatë protestave në rrugë ndërsa presioni ndërkombëtar rritet mbi qeverinë e Iranit për dhunën e ushtruar ndaj demonstruesve.

Të enjten në mbrëmje u zhvilluan protesta edhe në qytete të tjera. Aktivistët paralajmëruan se të tjerë protestues ishin vrarë nga forcat e sigurisë. Megjithatë, qeveria e Iranit nuk ka dhënë një numër të përgjithshëm të vdekjeve nga protestat. Mbledhja e informacionit për demonstratat mbetet e vështirë. Qasja në internet është ndërprerë prej javësh të tëra nga qeveria iraniane.

Ndërkohë, autoritetet kanë arrestuar të paktën 46 gazetarë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Zyrtarët iranianë, përfshirë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei, pretendojnë se “armiqtë e huaj” të vendit qëndrojnë pas demonstratave.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49461 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE