Brazil, Lula rikthehet president/Bolsonaro si Trump, nuk pranon humbjen!

vovalbania October 31, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Brazil, Lula rikthehet president/Bolsonaro si Trump, nuk pranon humbjen!

Ish-presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, fitoi një mandat të ri në pushtet, pas garës së ngushtë në zgjedhjet presidenciale ku përballë pati presidentin aktual, Jair Bolsonaro, i cili synoi një tjetër mandat në krye të shtetit në Brazil. Në votime, Da Silva fitoi 50.9 për qind të votave, në krahasim me Bolsonaron, i cili nuk mundi të sigurojë përtej 49.1 për qind të votave, sipas shifrave zyrtare të Komisionit Zgjedhor. Por, edhe disa orë pas publikimit të rezultateve e reagimeve të liderëve botërorë në favor të Lulës, Bolsonaro ende nuk e ka pranuar humbjen, çka pritej.

Përgjatë fushatës, vazhdimisht Bolsonaro ka hedhur pretendime të përsëritura, ndonëse të pabazuara në prova e fakte, për manipulime të mundshme zgjedhore. Në këtë mënyrë, ai rriti shqetësimet se në rast humbjeje do të tentonte të sfidonte rezultatin. Për Da Silvan, kjo fitore përbën kthim të fuqishëm. I dënuar dhe i burgosur për korrupsion, nuk mundi të kandidonte në Presidencialet e vitit 2018, të cilat u fituan nga Bolsonaro. Ky i fundit, përgjatë mandatit presidencial, ka zgjedhur të promovojë vlera shoqërore konservatore dhe shpesh ka testuar institucionet demokratike në Brazil. Pas fitores, në fjalimin para mbështetësve, Da Silva u shpreh:

Sot, fituesi i vetëm është populli brazilian. Eshtë fitore e lëvizjes demokratike, e formuar përtej partive politike, interesave personale apo ideologjive. Zotohem të qeveris përtej partisë time!

Fituesi i këtyre presidencialeve nuk e ka fshehur dëshirën që të përfshijë në qeveri politikanët e qendrës e disa të krahut të djathtë. Po ashtu synon që të kthejë atmosferën e viteve 2003-2010, periudhës kur ishte në pushtet. Në këto votime u shënua rezultati më i ngushtë zgjedhor, prej kthimit të Brazilit në demokraci në vitin 1985, pra 37 vite më parë.

Po ashtu, kjo shënohet si e para herë kur një president në pushtet nuk ka arritur të rizgjidhet. Bolsonaro njihej për afërsinë me Donald Trump-in e me refuzimin për të njohur rezultatin zgjedhor, risjell në kujtesë ish-presidentin amerikan, i cili më 3 nëntor 2020 nuk arriti të merrte mandatin e dytë e hodhi pretendime për manipulime në zgjedhje.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE