Qyteti i cili është projektuar për të ‘luftuar’ klimën e ashpër të Saharasë!

vovalbania October 31, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Qyteti i cili është projektuar për të ‘luftuar’ klimën e ashpër të Saharasë!

E njohur si “perla e shkretëtirës”, qyteti Ghadames është konceptuar në mënyrë aq perfekte për temperaturat ekstreme të Saharasë saqë banorët e mëparshëm të saj po rikthehen në vendlindjen e tyre. I vendosur 600 km në jugperëndim të Tripolit, thellë në rajonin djerrë të Tripolitanisë në Libi, qyteti është i rrethuar nga muret e larta me ngjyrë të bardhë, si dhe palmat e larta ekzotike.

Qyteti është themeluar që para 2000 vjetësh, por struktura e tij aktuale u realizua nga arabët myslimanë në shekullin e 7-të. I projektuar në mënyrë perfekte për të luftuar erërat e shkretëtirës dhe klimën e ashpër të Saharasë veriore, ky qytet-oazë i mbrojtur nga UNESCO është një shembull perfekt i planifikimit mjedisor. Temperaturat e larta arrijnë më shumë se 40 gradë celsius në verë, madje ndonjëherë edhe 55 gradë celsius. Mirëpo vendasit kanë gjetur zgjidhje efikase, duke filluar që nga rrugët.

Ata kanë ndërtuar të ashtuquajturat “zinka” që janë rrugica të ngushta të mbuluara me dru palme. Drita kalon nëpër hapësirat e çative duke mundësuar ndriçim, ajrim, orientim, por gjithashtu mbajnë temperaturën në rreth 20 gradë celsius. Muret e brendshme të shtëpive janë të lyera me gëlqere dhe të ndërtuara me tulla balte të thara në diell. Kjo përzierje balte, rëre dhe kashte e vendosur mbi gurë, izolon lagështinë. Dr.Susannah Hagan, profesoreshë e arkitekturës shprehet se:

Sekreti i këtyre shtëpive të freskëta, janë muret e trasha prej balte ose guri që pengojnë depërtimin e nxehtësisë së diellit brenda. Më pas ato e rrezatojnë nxehtësinë në qiellin e ftohtë gjatë natës. Deri në mëngjes, muret janë ftohur mjaftueshëm për të filluar përsëri ciklin mbrojtës. Në shkretëtirë, kjo do të thotë freski pa ajër të kondicionuar.

Qyteti është i pasur edhe me kopshte të cilat ujiten nga një sistem kompleks kanalesh, pusesh dhe burimesh nëntokësore. Ato thyejnë kështu bardhësinë dhe ftohtësinë e rrugëve. Mirëpo banesat nga brenda, janë krejt ndryshe, me një shpërthim ngjyrash, pikturash murale dhe tekstilesh tradicionale, që i bën banorët të harrojnë temperaturat ekstreme dhe ashpërsinë e Saharasë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49596 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE