SHBA: Politikanët dënojnë dhunën në prag të zgjedhjeve të tensionuara për Kongresin

vovalbania November 01, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
SHBA: Politikanët dënojnë dhunën në prag të zgjedhjeve të tensionuara për Kongresin

Dhuna politike ka trazuar atmosferën në prag të zgjedhjeve për Kongresin në Shtetet e Bashkuara.

Punonjësit e qendrave të votimit po përgatiten për mundësinë e tensioneve, ndërsa javën e kaluar një person hyri me dhunë në shtëpinë e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duke plagosur rëndë bashkëshortin e saj. Presidenti Joe Biden dhe politikanë të tjerë të lartë e kanë dënuar sulmin dhe po bëjnë thirrje që t’i jepet fund dhunës politike ndërsa afrohen zgjedhjet e 8 nëntorit.

Sulmi ndaj bashkëshortit të një prej politikaneve më të fuqishme amerikane nxjerr në pah ndasitë dhe rrezikun përpara një tjetër cikli të polarizuar votimesh.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi nuk ndodhej në shtëpinë e saj në San Francisco, por autori i sulmit plagosi rëndë bashkëshortin e saj 82-vjeçar, Paul.

“Kjo ishte e qëllimshme. Dhe është e tmerrshme. Zyrtarët tanë të zgjedhur bëjnë punën e tyre duke u shërbyer qyteteve, qarqeve, shteteve të tyre dhe këtij vendi”, tha Shefi i Policisë i San Franciscos, William Scott.

Presidenti Joe Biden e dënoi sulmin.

“Mjaft më! Çdo person i ndërgjegjshëm duhet të ngrejë zërin qartë dhe pa mëdyshje kundër dhunës në politikën tonë, pavarësisht se cila është politika e tij. Të gjithë ne. Të gjithë së bashku, si amerikanë”, tha ai.

Edhe ish-Presidenti Barack Obama foli për këtë temë, duke thënë se “disa të zgjedhur, ose që shpresojnë të zgjidhen, punojnë për të nxitur ndasi.”

Studiuesit thonë se dhuna vjen nga drejtime të ndryshme. Gjatë verës, anëtarët konservatorë të Gjykatës së Lartë u përballën me kërcënime me vdekje për vendimin e tyre për të përmbysur një vendim të mëparshëm, që mbronte të drejtën e abortit.

Republikanët kanë shprehur gjithashtu shqetësim.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell shprehu mbështetjen për familjen Pelosi.

Ashtu si edhe ish-nënpresidenti Mike Pence, i cili u shpreh në Twitter se “nuk mund të ketë tolerancë për dhunën kundër zyrtarëve publikë, ose familjeve të tyre.”

Dhe ish-presidenti Donald Trump, megjithëse jo menjëherë, reagoi duke e cilësuar sulmin si “diçka të tmerrshme”.

Zotit Trump iu pezullua llogaria në Twitter më 6 janar 2021, pasi platforma arriti në përfundimin se mesazhet e tij nxitën mbështetësit e tij të ndërmerrnin një kryengritje të dhunshme në Kapitol, në përgjigje të pretendimit të rremë të ish-presientit se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar kundër tij. Disa nga postimet e tij në Twitter vinin në shënjestër zotin Pence, i cili refuzoi të vepronte në favor të zotit Trump gjatë certifikimit të votimit.

Disa kritikë fajësojnë zotin Trump për acarimin e atmosferës para zgjedhjeve të mesit të mandatit.

Miliarderi Elon Musk e bleu platformën Twitter vetëm disa ditë më parë. Ai postoi në Twitter një artikull me pretendime të pabaza nga një faqe interneti e dyshimtë për sulmin ndaj bashkëshortit të zonjës Pelosi. Postimi u fshi më vonë pasi kritikët thanë se përhapte disinformata rreth sulmit.

Zoti Musk ka lënë të kuptohet se do ta lejojë zotin Trump në rrjet.

“Mundësia e rikthimit të zotit Trump në Twitter ngjall shqetësim sepse shumë vetë druhen se kjo do ta acarojë më tej mjedisin tejet të polarizuar me të cilin përballemi, do të shtojë retorikën e skajshme dhe se mund të ketë nxitje dhune të vazhdueshme”, thotë nënpresidenti i Institutit Brookings, Darrell West.

Departamenti i Drejtësisë është angazhuar të “garantojë një votim të lirë dhe të drejtë” për të gjithë dhe të mos tolerojë frikësimin e votuesve.

Në Arizona, autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë pas incidenteve të njerëzve që vëzhgonin kutitë e votimit, duke frikësuar votuesit.

Dhe në shtetin e pavendosur të Uiskonsit, punonjësit e qendrave të votimit, po trajnohen për t’u përgatitur për mundësinë e tensioneve në ditën e zgjedhjeve.

Edhe nëse kjo i bën votuesit amerikanë të ndihen të pakënaqur apo të pafuqishëm, zoti West thotë se secili mund të bëjë diçka.

“Njerëzit duhet të marrin pjesë në politikë, sa më shumë njerëz që marrin pjesë, aq më i fortë do të jetë sistemi ynë dhe kjo do të ndihmojë në fashitjen e zërave të ekstremistëve. Kështu që njerëzit duhet të votojnë. Ata duhet të shprehin pikëpamjet e tyre në një mënyrë paqësore Dhe nëse e bëjnë këtë, vendi ynë do të jetë në një pozitë më të mirë”, thotë ai.

Votimet e hershme kanë filluar në të gjithë vendin ndërsa ka mbetur një javë nga dita e zgjedhjeve më 8 nëntor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48505 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE