Reagime pas vendimit të serbëve për braktisje të institucioneve të Kosovës

vovalbania November 05, 2022 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Reagime pas vendimit të serbëve për braktisje të institucioneve të Kosovës

Krerët shtetërorë të Kosovës u kanë bërë thirrje serbëve të mos jenë pre e atyre që i kanë cilësuar manipulime nga ana e Serbisë, pas vendimit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë për t’u larguar nga institucionet e vendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka konsideruar dorëheqjet si veprime të Serbisë me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, presidentja Osmani ka thënë se autoritetet e Kosovës do të marrin hapa për të garantuar sigurinë publike “në çdo cep të territorit të saj, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

“Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit. Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar të shtunën të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të mos braktisin institucionet e Kosovës.

Ai e ka bërë këtë thirrje disa orë pas vendimit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, që të largohet nga institucionet e Kosovës.

“Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka thënë Kurti në thirrjen drejtuar serbëve të Kosovës, duke i ftuar “që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë”.

“Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se dorëheqjet përfshijnë pozitat në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit dhe Policisë së Kosovës në veri.

Lista Serbe ka nisur paralajmërimet për largime të tilla, pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Kurti e ka konsideruar vendimin e Listës Serbe si kërcënim nga ana e Beogradit dhe përgatitje për destabilizim të Kosovës.

“Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit”.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në anën tjetër, e ka mbrojtur vendimin e serbëve në Kosovë për dorëheqje.

“Në luftën e tyre për paqe, stabilitet, sundim të ligjit dhe respektim të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, ata do ta kenë gjithmonë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Serbisë”, ka thënë ajo përmes një deklarate.

Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka mbështetur vendimin.

Petkoviq ka thënë se synimi i serbëve është që “me vendimin e tyre të vihen në mbrojtje të procesit të Brukselit, para së gjithash të Asociacionit të komunave serbe, si i vetmi mekanizëm i garantuar për ndërtimin e të drejtave kolektive të popullit serb” në Kosovë.

“Me shkarkimin brutal të (drejtorit të policisë për rajonin e veriut të Kosovës, Nenad) Gjuriqit, si dhe me deklaratën se Prishtina nuk është e interesuar për Asociacionin e komunave serbe, (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti ka sjellë deri në pakuptimësi të plotë procesin e normalizimit të marrëdhënieve, për të cilin insiston Beogradi”, është thënë në deklaratë.

Plani për targat
Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.

Kurti ka thënë se deri më 5 nëntor, autoritetet kanë lëshuar 843 letra qortuese dhe se nuk ka pasur asnjë incident gjatë procesit.

Çështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës verën e kaluar, kur disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit.

Për të ulur tensionet, dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 shtator.

Afati për riregjistrim fillimisht ishte planifikuar të skadonte më 31 tetor, mirëpo më pas Qeveria e Kosovës e ka prezantuar planin me tri faza.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49273 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE