Kriza e energjisë, Kosova zgjat masat emergjente!

vovalbania November 09, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kriza e energjisë, Kosova zgjat masat emergjente!

Për të shtatën herë, Kuvendi i Kosovës miraton vendimin e qeverisë mbi zgjatjen e masave emergjente për furnizimin me energji.
Nga 92 deputetë të pranishëm në sallë, 65 votuan pro vazhdimit të këtyre masave emergjente, që para deputetëve u argumentuan nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli:

Tani në 9 muaj e parë të vitit kemi ulje të konsumit me 6 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe të gjitha masat që kemi ndërmarrë e do të vazhdojmë të ndërmarrim, i kontribuojnë uljes së konsumit. Deri tani, asnjë reduktim nuk është bërë me vendim të qeverisë, si rezultat i masave emergjente dhe kjo nuk qëndron.

Gjatë debatit, opozita pati kritika ndaj qeverisë mbi vazhdimin për të shtatën herë të gjendjes emergjente, pa i gjetur një zgjidhje më afatgjatë situatës.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala:

Nëse situata zgjat, sillni një ligj emergjent që e rregullon sektorin në situata emergjente, jo çdo muaj kështu. Ky është keqpërdorim i skajshëm.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi u shpreh se qeveria e ka tepruar me këto masa.

Thotë na jepni besë 30 ditë sepse për 30 ditë do ta zgjidhim problemin, është hera e gjashtë që e thonë këtë. Ndërkohë që ka përkeqësim të energjisë elektrike për këto gjashtë herë që është dhënë afati 30 ditësh.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka qenë kritik ndaj masave emergjente.

A është duke dashur Qeveria qe 20 muaj ta mbajë gjendjen e jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht 6 herë radhazi të marrë masa për gjendjen emergjente në këtë sektor. Si është e mundur që në komisionin përkatës qeveria të mos japë asnjë analizë se cilat janë përfitimet që ky Kuvend i ka marrë në raport me gjendjen emergjente.

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar dimër të vështirë, për shkak të krizës energjetike që ka përfshirë Europën. Edhe vitin e kaluar, Kosova është prekur nga kriza energjetike, ndaj konsumatorët janë përballur me reduktime e shtrenjtim të tarifave. Dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe B mund të prodhojnë energji deri në 800 megavat në orë, por nevojat e konsumatorëve, gjatë dimrit, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49463 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE