Bruksel, liberalizimi i vizave për Kosovën sërish në fokus të axhendës së BE-së!

vovalbania November 10, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Bruksel, liberalizimi i vizave për Kosovën sërish në fokus të axhendës së BE-së!

Për herë të dytë, grupi i punës për vizat në Këshillin Europian, sot diskuton liberalizimin e vizave për Kosovën. Diskutimi i parë u zhvillua më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të Unionit e mbështetën. Por, Franca kërkoi që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë nga jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Duhej të niste së funksionuari në vitin 2022, por data u shty disa herë e si afat, tani përmendet nëntori i vitit 2023. Që nga diskutimi i fundit në grupin e punës së BE-së ka pasur disa konsultime dypalëshe mes shteteve anëtare. Disa patën biseda edhe me autoritetet e Kosovës. Burime brenda Unionit rikujtojnë se në këtë nivel të grupit të punës përafrohen qëndrimet mes vendeve anëtare, por nuk miratohen vendime.

Kundërshtimet më të mëdha mes vendeve anëtare kanë të bëjnë me lidhjen e liberalizimit të vizave për Kosovën me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS. Shumë shtete, përfshirë Gjermaninë, janë kundër këtij kushtëzimi, duke e cilësuar jo vetëm “të padrejtë”, por edhe “të panevojshëm” se sipas tyre, “Kosova nuk mund të ketë asnjë ndikim në çështjen e funksionalizimit të këtij sistemi”.

Çekia që aktualisht udhëheq presidencën e BE-së, shpërndau një “dokument ndërinstitucional”, ku është përfshirë edhe kërkesa e Francës, e paraqitur në takimin e parë. Propozimi i ndryshuar i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së përmban kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me “nisjen efektive të sistemit ETIAS”, si dhe kërkesat ndaj Kosovës që deri në hyrjen në fuqi të liberalizimit, të përmbyllë marrëveshjen për riatdhesim me ato vende të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tillë, si dhe ta përshtatë më tej politikën e saj të vizave me të Bashkimit Europian.

Heqja e vizave do të vlejë vetëm për ata që kanë pasaporta biometrike, të lëshuara në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil e nuk do të zbatohet deri në nisjen efektive të veprimit të ETIAS-it.

Gjithashtu është përforcuar kërkesa ndaj Kosovës për sigurimin e menaxhimit të mirë të emigracionit. Në tekst u shtua kërkesa që në monitorimin që do ta bëjë pasi të liberalizohen vizat, Komisioni Europian të vëzhgojë përshtatjen e Kosovës me regjimin e vizave të BE-së.

Kosova ka bërë progres domethënës në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për viza, si siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve dhe emigrimit, përfshirë azilin, rendin publik, sigurinë e të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes. Për të siguruar menaxhim të mirë të emigracionit dhe sigurisë, Kosova duhet të synojë përshtatjen e mëtejshme të politikës së vizave me të Bashkimit Europian.

Po ashtu, përmendet çështja e ripranimit të qytetarëve kosovarë që mund të keqpërdorin liberalizimin e vizave. Pas diskutimeve të sotme, ku do të shihet gatishmëria e vendeve anëtare, çështja mund të shkojë për diskutim në nivel tjetër në Këshillin e BE-së, me gjasa, në të ambasadorëve.

Mësohet se disa shtete do të insistojnë që të mos lidhet fare liberalizimi i vizave për Kosovën me ETIAS-in dhe nëse do të ketë afate kohore, atëherë të përmendet një datë formale kur do të hynte në fuqi liberalizimi i vizave. Burimet në BE pohojnë se edhe kur të kalojë vendimi në Këshill, Parlamenti Eeropian mund të kërkojë përsëri që teksti të ndryshohet ose të mos lidhet me sistemin ETIAS, apo të përmendet ndonjë datë e hyrjes në fuqi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49200 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE