Mbrojtja nga lufta në Ukrainë, si mund të aktivizohen detyrimet e NATO-s?

vovalbania November 16, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Mbrojtja nga lufta në Ukrainë, si mund të aktivizohen detyrimet e NATO-s?

Bota është në alarm pasi Polonia u godit nga një sulm me raketë dhe era e luftës ruse mund të përhapet, përtej Ukrainës. Një hetim i plotë do të përcaktojë se kush e hodhi, duke shkaktuar dy viktima në vendin anëtar të NATO-s, fqinj me Ukrainën, që po përballet me një seri bombardimesh ruse, duke i shënjestruar infrastrukturën e energjisë. Burime për CNN-in thonë se raketa është prodhim rus, por u nis nga territori i Ukrainës.

Nëse Moska përcaktohet fajtore, mund të aktivizohet parimi i NATO-s për mbrojtje të përbashkët, i njohur si Neni 5, pra sulmet ndaj njërit nga vendet anëtare të Aleancës, vlerësohen si sulm ndaj të gjithëve. Neni 5 është baza e traktatit themelues të NATO-s, që u krijua më 1949-ën, me ushtrinë amerikane si shtyllën e saj kryesore, për të kundërshtuar Bashkimin Sovjetik e satelitët e tij të bllokut lindor gjatë Luftës së Ftohtë.

Ky nen përcakton se “palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre në Europë apo Amerikën e Veriut do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve”. Ata pajtohen se nëse ndodh një sulm i tillë i armatosur, secili prej tyre, duke ushtruar të drejtën e mbrojtjes individuale apo kolektive të njohur nga Neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, ndihmon palën apo palët e sulmuara, menjëherë.

Kjo duke ndërmarrë individualisht ose bashkë me palët e tjera, veprime të tilla që cilësohen të nevojshme, përfshirë përdorimin e forcave të armatosura, për të restauruar ose ruajtur sigurinë e zonës së Atlantikut Verior.

Si mund ta aktivizojë Nenin 5 lufta në Ukrainë?

Meqë Ukraina nuk është pjesë e NATO-s, pushtimi i Rusisë që nisi në shkurt nuk e aktivizoi Nenin 5, edhe pse Shtetet e Bashkuara e disa vende të tjera anëtare të NATO-s i japin Kievit ndihmë ushtarake e diplomatike.

Megjithatë, prej një kohe të gjatë ekspertët kanë paralajmëruar për mundësinë që konflikti të kalojë përtej kufijve të Ukrainës në kufirin lindor të NATO-s, që do të mund t’i detyronte aleatët të përgjigjen ushtarakisht.

Të tilla veprim nga Rusia, të qëllimshme apo aksidentale e kanë rritur rrezikun e zgjerimit të luftës duke përfshirë të tjera vende, drejtpërdrejt në konflikt.

Aktivizimi i Nenit 5 nuk bëhet automatikisht. Pas sulmit në një vend anëtar të NATO-s, anëtarët e tjerë takohen për të vendosur nëse do ta vlerësojnë atë që ka ndodhur si situatë për Nenin 5.

Nuk ka ndonjë afat kohor sa mund të zgjasin këto konsultime dhe ekspertët thonë se formulimi i Nenit 5 lë hapësire që secili vend anëtar të vendosë se çfarë masa të ndërmarrë si përgjigje ndaj agresionit të armatosur kundër një vendi tjetër anëtar.

Më parë, Neni 5 i Traktatit të NATO-s është aktivizuar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si përgjigje ndaj sulmeve të 11 shtatorit 2001  në Nju Jork e Uashington.

Muaj më parë, presidenti amerikan Biden vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara nuk kanë interes të shkojnë në luftë kundër Rusisë. Që nga fillimi i pushtimit rus, tha se Uashingtoni do t’u përmbahet detyrimeve të Nenit 5 për t’i mbrojtur partnerët e NATO-s.

Amerika është plotësisht e përgatitur, me aleatët tanë në NATO, për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Çdo centimetër.

Më parë ka deklaruar se nuk ka “asnjë dyshim” që administrata e tij do t’i përmbahet Nenit 5.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48855 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE