Raketat në Poloninë fqinje me Ukrainën, OKB thirrje kundër përshkallëzimit të luftës!

vovalbania November 16, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Raketat në Poloninë fqinje me Ukrainën, OKB thirrje kundër përshkallëzimit të luftës!

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, shprehu shqetësim lidhur me njoftimet për një sulm të dyshuar raketor në Poloni e bëri thirrje për shmangien e përshkallëzimit të luftës në Ukrainë. Në një postim në Twitter, zëvendësi i zëdhënësit të OKB-së, Farhan Haq deklaroi:

Guterres është shumë i shqetësuar nga raportimet për shpërthimin e raketave në territorin polak. Eshtë absolutisht thelbësore të shmanget përshkallëzimi i luftës në Ukrainë.

Dy persona u vranë dje në sulmin e dyshuar me raketa në fshatin Përzevodov të Polonisë lindore, që ndodhet pak kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Duke folur në emër të Guterresit, Haq theksoi:

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shpreh ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe shpreson se do të kryhet një hetim i plotë i kësaj ngjarjeje.

Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë deklaroi se raketat që ranë në territorin e këtij vendi, janë të prodhimit rus. Ndërkohë, Rusia ka mohuar çdo përgjegjësi.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, foli për sulme ruse me raketa, që sipas tij, goditën disa qytete të Ukrainës, ndërsa shtoi se tregojnë se Moska “nuk ka interes për të përfunduar luftën”.

Zelensky vuri në dukje se ushtria ruse lëshoi 90 raketa, duke dëmtuar infrastrukturën e energjisë, si dhe bizneset dhe ndërtesat e banimit.

Kjo është përgjigjja e Rusisë ndaj Indonezisë, Indisë, Kinës e të gjitha vendeve të tjera, që kanë folur për nevojën për t’i dhënë fund luftës. Rusia po i thotë botës se dëshiron të vazhdojë. Tani është koha që bota të përgjigjet!

Zelensky nënvizoi se sulmet kanë çuar në ndërprerje të energjisë elektrike në të gjithë Ukrainën, përfshirë rajonet e Kievit, Lvivit, Kharkivit dhe Zhitomirit. Po ashtu, informoi se më shumë se 70 raketa e 10 dronë luftarakë janë rrëzuar nga forcat ukrainase dhe falënderoi të gjithë partnerët, që siç tha, “ndihmojnë në mbrojtjen e qiellit”.

“Duhet të krijohet një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë”. Kërkesa vjen nga ministri ukrainas i Mbrojtjes, pas sulmit vdekjeprurës me raketa në Poloninë fqinje, që ka rritur frikën për pasojat e pushtimit rus të Ukrainës. Oleksii Resnikov vuri në dukje se po kërkojnë të mbyllet qielli, pasi nuk ka kufij e shtoi se ky është realiteti për të cilin paralajmëruan.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49207 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE