Pas dorëheqjeve, 10 deputetë të rinj serbë bëjnë betimin në Kuvendin e Kosovës!

vovalbania November 17, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Pas dorëheqjeve, 10 deputetë të rinj serbë bëjnë betimin në Kuvendin e Kosovës!

Dhjetë deputetë, nëntë prej tyre nga Lista Serbe, sot bënë betimin në Kuvendin e Kosovës. Ata po zëvendësojnë mandatet e atyre nga Lista Serbe, që dhanë dorëheqje ditë më parë. Në Kuvendin e Kosovës u betuan: Millan Kostiç, Zoran Maksimoviç, Svetislav Gjokiç, Ksenija Bozhoviç, Radosh Mihajlloviç, Bilana Makshiç, Milan Joksimoviç, Nenad Radenkoviç, Olivera Zdravkoviç e Cvetko Velkoviç nga partia Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Menjëherë pas betimit, u larguan nga salla.

Dorëheqjet nisën në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tre fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. Komuniteti serb, si më i madhi mes komuniteteve pakicë në Kosovë i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë nga 120 vende në Kuvend. Ende nuk është e qartë nëse deputetët e rinj të Listës Serbe do t’i mbajnë mandatet pas betimit apo do të dorëhiqen, si kolegët e tyre.

Cvetko Velkoviç nga Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, konfirmoi se planifikon ta mbajë mandatin, “pa marrë parasysh veprimet e Listës Serbe”. Rada Trajkoviç nga e njëjta parti, reagoi pas betimit të deputetëve.

Në rrjetin social, Twitter shkruan:

Lista Serbe mori nëntë mandatet, që të pengojë hyrjen time në Kuvend e të pamundësojë që komuniteti serb në Kosovë, më në fund të ketë përfaqësuesit e tij të vërtetë.

Aktualisht, qeveria Kurti po zbaton planin për riregjistrimin e makinave me targa RKS apo Republika e Kosovës. Nga 21 nëntori priten gjoba për të gjithë qytetarët që përdorin targa me akronime qytetesh si PR, KM e të tjera që Kosova i konsideron të paligjshme. Beogradi zyrtar pret targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Prishtina zyrtare nuk heq dorë nga vendimi. Bashkimi Europian është në pritje të përgjigjes së Kosovës për një propozim të ri lidhur me çështjen e targave.

Këtë propozim, i dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ia prezantoi kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, gjatë takimit në Bruksel, dy ditë më parë. Bislimi tha:

Ka elemente që i kemi diskutuar për mundësinë për dalje nga kriza, por nuk ka dakordësi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49463 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE