Bruksel, BE-ja i thotë “PO” pranimit të Kroacisë në Schengen!

vovalbania December 08, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Bruksel, BE-ja i thotë “PO” pranimit të Kroacisë në Schengen!

Të mbledhur sot në Bruksel, ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord për pranimin e Kroacisë në zonën Schengen. Në të njëjtin takim u diskutua edhe për pranimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në zonën e lëvizjes së lirë. Më herët, Komisioni Europian iu ka bërë thirrje vendeve të Bllokut që të mundësojnë hyrjen e të tre shteteve në zonën e lëvizjes së lirë, por jo të gjitha vendet e Unionit e mbështesin propozimin e Brukselit zyrtar.

Dy ditë më parë, kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, shprehu gatishmërinë e qeverisë që drejton për të pranuar Kroacinë, por nuk ndan të njëjtin opinion sa i përket Rumanisë dhe Bullgarisë. Kjo për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me emigracionin. Ndërkohë, Parlamenti i Holandës miratoi një rezolutë në muajin tetor. Aty thuhet se nevojitet analizë më e thellë për funksionimin e rendit e të ligjit, si edhe më shumë përpjekje në rritjen e nivelit të luftës ndaj korrupsionit në Bullgari e Rumani.

Duhet theksuar se përpjekjet e Bullgarisë dhe Rumanisë për të hyrë në këtë zonë janë bllokuar prej më shumë se një dekade, që nga koha kur Komisioni Europian ka vlerësuar se këto dy vende janë të gatshme për anëtarësim. Rregulli e përcakton që vendet anëtare duhet të miratojnë në mënyrë unanime pranimin e një shteti të ri.

Zona Schengen, aktualisht me 26 vende anëtare, nënkupton pezullim të kontrolleve kufitare mes tyre, si dhe iu mundëson qytetarëve të udhëtojnë, punojnë e jetojnë në një shtet tjetër anëtar, pa pasur nevojë për viza apo të tjera leje shtesë.

Ndërkohë, kujtojmë se Bullgaria, Rumania, Kroacia, Irlanda dhe Qipro, janë të vetmet vende të Bashkimit Europian, që nuk bëjnë pjesë në zonën Schengen. Në anën tjetër, Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni, ndonëse nuk janë vende të BE-së, janë anëtare të zonës Schengen.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49066 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE