Mos u shqetësoni për makthet gjatë gjumit, sipas ekspertëve nuk duhet të keni aspak frikë!

vovalbania December 10, 2022 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Mos u shqetësoni për makthet gjatë gjumit, sipas ekspertëve nuk duhet të keni aspak frikë!

Për njerëzit në vijën e frontit të luftës kundër COVID-19, ëndrrat u bënë makthe. Nga 114 mjekë dhe 414 infermierë që punojnë në qytetin kinez të Vuhan dhe që morën pjesë në një studim të botuar në janar të këtij viti, më shumë se një e katërta raportuan se shihnin shumë shpesh ëndrra të këqija. Raportet mbi makthet midis qytetarëve u ngritën gjatë karantinës, ku më të rrezikuar ishin të rinjtë, gratë dhe njerëzit që vuanin edhe më parë nga ankthi apo depresioni. Por për njerëzit që studiojnë traumat, shtimi e maktheve nuk ishte befasi.

“Për ata që kanë qenë në vijën e frontit kundër COVID-19, si mjekët dhe infermierët në Vuhan, 2020-a ishte një periudhë e stresit kronik”- thotë Rashel Ho, psikologe në Universitetin McMaster në Kanada. Njerëzit që jetojnë nën një kufizim të vazhdueshëm kanë më shumë gjasa që të shohin makthe në gjumë. Një studim mbi disa nxënës shkollash, të moshës 10-12 vjeç në rripin e Gazës, zbuloi se më shumë se gjysma e tyre përjetuan makthe të shpeshta, mesatarisht 4 netë në javë.

Fëmijët janë veçanërisht të ndjeshëm, thotë Ho, pasi truri i tyre është ende në zhvillim. Por Xhoan Dejvis, psikologe klinike në Universitetin e Tulsas, thotë se ndërsa makthet janë të lidhura fort me një mori sëmundjesh mendore, disa ëndrra të gjalla na ndihmojnë që të përpunojmë emocionet e ditës që sapo kaloi. Psikologët si Dejvis kanë filluar që të zbulojnë lidhjet midis ëndrrave tona, çrregullimeve psikologjike dhe rëndësisë së tyre për të na mbajtur emocionalisht të qëndrueshëm kur jemi mirë me shëndet. Kur flemë, ne organizojmë dhe skedojmë kujtimet tona të ditës së mëparshme dhe riorganizojmë kujtimet tona më të vjetra.

Kur truri ynë është në fazën REM të gjumit, si hipokampusi ashtu dhe amigdala janë shumë aktive. E para është pjesa e trurit tonë që rendit dhe ruan kujtimet, e dyta pjesa që na ndihmon të përpunojmë emocionet. Kjo i ka nxitur studiuesit të sugjerojnë se ëndrrat e gjalla, emocionale dhe të paharrueshme gjatë fazës REM janë ato që ruajnë kujtimet. Pas një ëndrre të keqe, zona e trurit që na përgatit për të pasur frikë është më efektive.

Ndaj sa më gjatë që njerëzit kishin ndjerë frikë gjatë ëndrrave të tyre, aq më pak aktivizoheshin qendrat e tyre të emocioneve kur u shfaqeshin imazhe stresuese. Studimet mbi punonjësit e stresuar, tregojnë se niveli ynë i kortizolit, hormoni që ndihmon për të rregulluar reagimin tonë ndaj stresit, është më i lartë në mëngjes, që do të thotë se jemi më të aftë atëherë që të reagojmë ndaj stresit. Ndërsa kortizoli prodhohet diku tjetër, amigdala jonë përdoret për të zbuluar situata stresuese.

Është një gjë të shohësh një ëndërr të keqe por të dobishme dhe tjetër të kesh makthe kronike. “Kur shihni makthe për një periudhë të gjatë kohore, ato bëhen si zakone. Ju shqetësoheni për një makth, mbase e shmangni gjumin ose përpiqeni të flini sa më shpejt”- thotë Dejvis, që në rase të tilla rekomandon trajtimin. Gjithsesi, ajo thekson se ne përgjithësi ne duhet t’i shohim makthet si një tregues i hershëm i problemeve të së shkuarës.

Ëndrrat emocionale ndodhin ndonjëherë natën pas një ngjarjeje domethënëse dhe nganjëherë 5-7 ditë më vonë. Ndaj herën tjetër që bëni një gjumë të keq gjatë natës, mendoni që kjo është mënyra që ka truri për të rregulluar emocionet tuaja. Dejvis thotë se duhet të shqetësoheni vetëm nëse ëndrrat e këqija janë të rregullta ose nëse fillojnë të ndikojnë mbi shëndetin tuaj. Por për shumicën e njerëzve, një ëndërr e keqe dhe e çuditshme, mund të jetë një gjë e mirë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49533 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE