Tirana zyrtare apelon për heqjen e barrikadave serbe nga veriu i Kosovës!

vovalbania December 11, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Tirana zyrtare apelon për heqjen e barrikadave serbe nga veriu i Kosovës!

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka reagoi sot ndaj situatës së tensionuar në veri të Kosovës, duke dënuar ashpër sulmin ndaj EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Ne i bashkohemi thirrjeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë për heqjen e menjëhershme të barrikadave nga grupet e serbëve të Kosovës. Eshtë e rëndësishme të rivendoset qetësia dhe sundimi i ligjit.

Ndërkohë, sulmet mbi EULEX-in, kryeministri Edi Rama i cilësoi “të dënueshme pa asnjë ekuivok, ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës”. Në reagimin ndaj situatës, Rama u shpreh se “rishfaqja e barrikadave në veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë”.

Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!

Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.

Distancim të serbëve të Kosovës nga presidenti i Serbisë, Vuçiç dhe kërkesa që KFOR-i të garantojë lirinë e lëvizjes në Kosovë ishin dy pikat kryesore të konferencës së sotme të kryeministrit Albin Kurti. Shefi i qeverisë së Prishtinës foli pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë ndërsa tensionet në veriun me shumicë serbe kulmuan mbrëmë me një sulm kundër misionit europian EULEX me bomba çorientuese, fatmirësisht pa pasoja.

Sulmi kundër EULEX-it u dënua gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, duke kërkuar t’i jepet fund dhunës në veriun e Kosovës. Prej javësh aty ka incidente për të mos lejuar zgjedhjet në 4 komuna serbe më 18 dhjetor. Dje u vendos shtyrja e tyre, por acarimet nuk ndalen, pasi u arrestua një ish-pjesëtar serb i Policisë së Kosovës, me akuzat për sulme terroriste. Serbët vendosën barrikada, autoritetet mbyllën pikëkalimet kufitare të Jarinjës e Bërnjakut.

Për presidentin Vuçiç nuk ka dorëzim e zgjidhjen për normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës e sheh te krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Më herët, kryeministrja Bërnabiç bëri thirrje për qetësi dhe durim. Në Twitter shkruan se “Atë që Kurti e percepton si kërcënim janë thirrjet tona të vazhdueshme për paqe dhe stabilitet, dialog, respektim e zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura deri tani”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49386 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE