Situata në Kosovë, KFOR: Të shmanget çdo përshkallëzim i ri!

vovalbania December 13, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Situata në Kosovë, KFOR: Të shmanget çdo përshkallëzim i ri!

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mënyra e vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme mes Prishtinës dhe Beogradit është që palët të zgjidhin çështjet e tyre “përmes dialogut e të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Eshtë e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe që çështjet të zgjidhen në mënyrë paqësore, pasi dhuna nuk ka vend në rajon! KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë mandatin e dhënë nga Kombet e Bashkuara.

Ekspertë të çështjeve të Kushtetutës dhe sigurisë vlerësojnë se bazuar në Rezolutën 1244 e në të tjera dokumente, Serbia nuk mund të dërgojë trupa në Kosovë.

Paralajmërimet për dërgimin e trupave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka parë si “kërcënim me agresion” nga Beogradi, ndërsa presidentja Vjosa Osmani pati theksuar se “në territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë”.

Për të katërtën ditë, veriu i Kosovës mbetet i bllokuar nga qytetarët serbë. Kalimi për në pikat kufitare të Bërnjakut e Jarinjës nuk është i mundur as në këmbë. Shkollat ​​fillore dhe të mesme janë mbyllur. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, tha se të enjten Beogradi do t’i dërgojë kërkesë KFOR-it, për të çuar deri në 1 mijë forca të sigurisë në Kosovë.

Ndërkohë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u takua në Prishtinë me udhëheqësit e Republikës së Kosovës. Po ashtu, nesër është radha e të dërguarit special të BE-së, Mirosllav Lajçak, që të vizitojë Prishtinën e Beogradin për të tentuar uljen e tensioneve.

“Kosova dhe Serbia thanë se janë të gatshme për de-përshkallëzimin e situatës”, u shpreh kryediplomati europian Borrell, i cili është optimist. Ai foli pas takimit me shefat e diplomacive të vendeve të Unionit që biseduan edhe për situatën në veri të Kosovës. Mbi këtë çështje, sot do të ketë një takim përmbledhës në komitetin politik.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48923 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE