Zgjedhja e kreut të SPAK-ut, Rama: Dakord me ambasadën amerikane, KLP të mos ndikohet nga askush!

vovalbania December 14, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zgjedhja e kreut të SPAK-ut, Rama: Dakord me ambasadën amerikane, KLP të mos ndikohet nga askush!

Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Në përgjigje të akuzave të opozitës, shefi i qeverisë vuri në dukje se “është plotësisht dakord me ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, duke theksuar se “kreun e SPAK-ut e zgjedh Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, ndërsa nënvizoi se KLP “varet vetëm nga anëtarët e vet”. Rama kërkoi t’i jepet fund atyre që i quan “thashetheme” teksa tha se në këtë zgjedhje nuk hyn as qeveria e as ambasada.

Në një postim në Twitter, shkruan:

Jam plotësisht dakord me ambasadën e SHBA-ve dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet!

Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e performanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër.

Më herët, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Yuri Kim përmes një reagimi u shpreh se “kreu i ri i SPAK-ut do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, pa frikë apo favore”. Sipas diplomates së Uashingtonit, “procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet”.

Kreu i ri i SPAK-ut do të zgjidhet pas dy ditësh e në garë për të pasuar Arben Krajën janë prokurorët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sipas nenit 148/dh, pika 3, të Kushtetutës, emërohet me shumicë votash nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Mandati i kreu të SPAK-ut është tre vjet dhe nuk ka të drejtë të rizgjidhet për një mandat të dytë. Arben Kraja përfundon mandatin më 19 dhjetor. Të hënen e ardhshme merr detyrën drejtuesi i ri dhe Kraja mbetet prokuror i SPAK-ut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49106 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE