Barrikadë e re në veri të Kosovës!

vovalbania December 17, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Barrikadë e re në veri të Kosovës!

Një natë më parë, në veriun e Kosovës me shumicë serbe është shtuar një barrikadë e re, për të bllokuar rrugët e duke penguar qarkullimin drejt Serbisë. Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se “kjo barrikadë u vendos në lagjen Berxhane”. Përmes kësaj zone, bëhet kalimi për në komunën e Zveçanit.  Më herët, Policia e Kosovës tha se “situata në veri është e qetë”.

Barrikadat nuk kanë lëvizur, por nuk ka ndonjë zhvillim apo incident të raportuar. Eshtë situatë e qetë.

E sotmja shënon ditën e tetë që nga koha kur serbët bllokuan rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Kjo, në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç. Sipas autoriteteve të Kosovës, Pantiç ishte i përfshirë në sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në fillim të këtij muaji.

Prishtina zyrtare bëri përpjekje për të organizuar zgjedhje lokale, për të zëvendësuar kryekomunarët e dorëhequr në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok. Ata hoqën dorë nga drejtimi i katër komunave me shumicë serbe, në shenjë proteste për vendimin e qeverisë Kurti lidhur me riregjistrimin e targave të makinave në RKS-Republika e Kosovës.

Tensionet mbetën aktive edhe pasi për këtë çështje u arrit dakordësi. Planet e Prishtinës për zgjedhje më 18 dhjetor, u shoqëruan me sulme me armë e bomba çorientuese. Madje, një pjesëtar i Policisë së Kosovës u plagos dhe sulmet nuk kursyen as një patrullë të misionit EULEX. Pas sugjerimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, për shkak të situatës së rrezikshme të sigurisë, zgjedhjet u shtynë për në prill të vitit të ardhshëm.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “institucionet e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat në veri”. Zyrtari shtoi se janë duke vlerësuar situatën, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Në Facebook, shkruan se “qytetarët e zonës veriore që janë bllokuar nga barrikadat, po kërkojnë me ngulm heqjen e tyre”.

Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47789 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE