Edhe OKB kritikon Musk-un: Liria e mediave nuk është lodër!

vovalbania December 17, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Edhe OKB kritikon Musk-un: Liria e mediave nuk është lodër!

Në të njëjtën linjë qëndrimi me Bashkimin Europian, edhe Kombet e Bashkuara dënuan vendimin e rrjetit social Twitter, për të pezulluar llogaritë e shumë gazetarëve. Të prekurit nga ky vendim i pronarit të ri, Elon Musk janë autorë të shkrimeve kushtuar ndryshimeve të bëra në Twitter apo që i kanë komentuar përmes postimeve. Musk është shprehur i përkushtuar ndaj fjalës së lirë, por veprimet nuk konfirmojnë fjalët.

Referuar rregullave të vendosura nga Twitter, për ndalimin e publikimit të të dhënave personale, njeriu më i pasur i botës deklaroi:

Të më kritikoni gjithë ditën është shumë në rregull, por qëllimisht të nxirret vendndodhja ime në kohë reale e të rrezikohet familja ime, kjo nuk është e pranueshme.  Disa rregulla për nxjerrjen e qëllimshme të informacionit identifikues vlejnë për gazetarët, ashtu si edhe për gjithë të tjerët.

Gazetarët e mediave të njohura amerikane si New York Times, CNN e Washington Post, gjithashtu janë në mesin e personave që u është bllokuar aksesi. Kombet e Bashkuara vënë në dukje se “liria e mediave nuk është lodër”, ndërsa BE-ja shkoi më tej duke e kërcënuar Twitter-in me sanksione. Eurokomisionerja Vera Jourova:

Elon Musk duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë. Ka vija të kuqe. Edhe sanksione, shumë shpejt!

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë reagoi po ashtu ndaj vendimit të Twitter-it, duke thënë se “liria e mediave nuk mund të fiket dhe ndizet sipas dëshirës”.

Lajmi për pezullimin e llogarive erdhi pasi Musk u zotua se do të padiste pronarin e një profili që sipas tij, “i gjurmon avionin privat”. Një zëdhënës i Twitter-it tha se “pezullimi i llogarive është lidhur me ndarjen e të dhënave të lokacionit në kohë reale”. Vetë Musk nuk e ka komentuar direkt vendimin, përveç shqetësimit të shprehur lidhur me gjurmimet në kohë reale dhe rrezikimin e familjes së tij. Kontrollin e plotë të Twitter-it e mori në fund të tetorit, pas blerjes së kësaj platforme për 44 miliardë dollarë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 45351 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE