Moti i keq, zgjerohet sipërfaqja e përmbytur në Shkodër, mbi 3 mijë ha!

vovalbania December 17, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Moti i keq, zgjerohet sipërfaqja e përmbytur në Shkodër, mbi 3 mijë ha!

Ndërsa dje kryebashkiaku Bardh Spahia i kërkoi qeverisë të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, raportohet se nga dje pasdite, në Shkodër është zgjeruar sipërfaqja e përmbytur, si pasojë e shirave të fundit e shkarkimeve të hidrocentraleve. Spahia ishte në zonën e Nënshkodrës ku Ana e Malit dhe Dajçi janë dy njësitë administrative më të goditura. Referuar të dhënave zyrtare të orës 08:00 të mëngjesit, janë 3 mijë e 20 hektarë të përmbytura, 250 më shumë krahasuar me një ditë më parë. Me prani uji, janë 155 banesa, oborre e stalla.

Në Obot, ujërat kanë hyrë brenda dy shtëpive ndërsa rreth 100 banesa janë me prezencë të lartë uji në oborre. Për shkak të ujit që arrin lartësinë 1 metër e gjysmë, rruga e këtij fshati të Shkodrës nuk kalohet me mjete të tjera, përveç atyre të larta ushtarake.

Forcat e armatosura kanë vënë në dispozicion 4 mjete të kalueshmërisë së lartë e 2 varka, ndërsa në terren janë 15 efektivë. Momentalisht, ujësjellësat Oblika 1 dhe Oblika 2 janë jashtë funksionit.

Në Njësinë Administrative Ana Malit në Shkodër e ku përfshihet edhe Oboti është përmbytur një sipërfaqe prej 1 mijë e 350 hektarësh.

Ndërkohë, në njësinë Dajç, rruga Darragjat-Shirq është e pakalueshme ne vendin e quajtur Urrelat e ku uji arrin në lartësinë 1.6 m. Sipërfaqja e përmbytur është 800 ha e në 20 banesa ka prani të ujërave.

Në Shkodër, pas Anës së Malit e Dajçit, edhe Bërdica e Velipoja kanë sipërfaqe të konsiderueshme të përmbytura, me respektivisht 450 e 400 hektarë. Ka gërryerje të lumit Kir në afërsi të fshatit Hot i Ri në njësinë Rrethinat ku janë 20 ha tokë e përmbytur e ujërat evidentohen në 5 banesa.

Sipas njoftimit zyrtar të Bashkisë Shkodër, kuota në Drin është 6.95 m, e pa ndryshuar në krahasim me orën 17.00 të një dite më parë. Kuota maksimale është 7.50 m.

Kuota Liqen rezulton 8.88 m, e rritur me 10 centimetra nga dje pasdite ora 17:00. Ndërkohë, 8.70 m është kuota maksimale.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48175 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE