Veriu i Kosovës, barrikadat janë aty, por situata paraqitet e qetë!

vovalbania December 17, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Veriu i Kosovës, barrikadat janë aty, por situata paraqitet e qetë!

Barrikadat e serbëve nuk lëvizin, por Policia e Kosovës thotë se situata në veri është e qetë.

Barrikadat nuk kanë lëvizur, por nuk ka ndonjë zhvillim apo incident të raportuar. Eshtë situatë e qetë.

E sotmja shënon ditën e tetë që nga koha kur serbët bllokuan rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Kjo, në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç. Sipas autoriteteve të Kosovës, Pantiç ishte i përfshirë në sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në fillim të këtij muaji.

Prishtina zyrtare bëri përpjekje për të organizuar zgjedhje lokale, për të zëvendësuar kryekomunarët e dorëhequr në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok. Ata hoqën dorë nga drejtimi i katër komunave me shumicë serbe, në shenjë proteste për vendimin e qeverisë Kurti lidhur me riregjistrimin e targave të makinave në RKS-Republika e Kosovës.

Tensionet mbetën aktive edhe pasi për këtë çështje u arrit dakordësi. Planet e Prishtinës për zgjedhje më 18 dhjetor, u shoqëruan me sulme me armë e bomba çorientuese. Madje, një pjesëtar i Policisë së Kosovës u plagos dhe sulmet nuk kursyen as një patrullë të misionit EULEX. Pas sugjerimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, për shkak të situatës së rrezikshme të sigurisë, zgjedhjet u shtynë për në prill të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, tha se gjatë kësaj jave ka dërguar trupa shtesë e patrulla në veri të Kosovës.

Ne po e monitorojmë nga afër situatën në veri të Kosovës. KFOR-i ka aftësi dhe personel për të ofruar mjedis të sigurt e liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, në bazë të mandatit tonë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Rritja e prezencës ushtarake ka nisur që në muajin tetor. Presim që palët të koordinohen nga afër me ne e të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës.

Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive, për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut!

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47740 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE