Barrikadat në veri të Kosovës sjellin frikë e mungesa furnizimesh!

vovalbania December 19, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Barrikadat në veri të Kosovës sjellin frikë e mungesa furnizimesh!

Në veri të Kosovës, qytetarët po përballen me mungesa ilaçesh, furnizimesh të përditshme e të parave në bankomate. Për më tepër, janë të shqetësuar edhe për situatën e sigurisë që siç thonë, “mund të përshkallëzojë në përplasje të armatosura”. Në këtë pjesë të Kosovës, prej 10 ditësh, grupe qytetarësh kanë bllokuar rrugët kryesore, duke kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb.

Barrikadat janë ngritur në rrugët që çojnë për në vendkalimet kufitare me Serbinë: Jarinjë e Bërnjak e që shpesh shfrytëzohen nga banorët e veriut të Kosovës për furnizime dhe vizita të natyrës mjekësore apo të tjera. Nga sot, nxënësit e fillores u rikthyen në klasa për mësim me orë të shkurtuara, ndërsa të gjimnazeve mund ta ndjekin mësimin online.

Ushqimi është gjithnjë e më i paktë në dyqane. Po ashtu, ka ditë që paratë nuk shkojnë në bankomate, sepse nuk mund të dërgohen përmes rrugëve alternative, ndërsa përmes vendkalimeve kufitare nuk është e mundur. Frika më e madhe e qytetarëve është ndërhyrja e mundshme e njësive speciale të Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave, çka mund ta përshkallëzojë më tej situatën.

Verolub Petroniç, nga organizata joqeveritare Qendra Humane në Mitrovicë të Veriut thotë se “më e keqja, me të cilën po përballen qytetarët është frika”.

Shumë serbë, tashmë frikësohen nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, se çfarë do të bëjë policia, a do t’i mbrojë KFOR-i dhe a do të ndodhë ndonjë konflikt? Gjithashtu, ata që janë në barrikada, frikësohen se mos dikush i shkon pa kuptuar dhe i cënon sigurinë, në kuptimin që të shkaktohet ndonjë përplasje e ashpër me armë zjarri me KFOR-in apo me Policinë e Kosovës e në këtë mënyrë të krijohet kaos, pas të cilit nuk mund të ketë më kthim pas.

Dy ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shkruante në Facebook se “çdo çast i kaluar nën bllokimin e barrikadave, të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt”.

Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, janë duke vlerësuar situatën për reagimin e duhur.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE