Ukraina, Papa: Zoti ndriçoftë mendjen e atyre që mund të shuajnë bubullimën e armëve!

vovalbania December 25, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ukraina, Papa: Zoti ndriçoftë mendjen e atyre që mund të shuajnë bubullimën e armëve!

Sot në mesazhin e Krishtlindjes, Papa Françesku bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës në Ukrainë, një konflikti 10-mujor që e cilësoi “të pakuptimtë”. Gjatë fjalimit tradicional të njohur si “Urbi et Orbi” [nga latinishtja: për qytetin dhe botën], nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa u lut edhe për të gjithë njerëzit e prekur nga i ftohti ekstrem gjatë Krishtlindjes. Dhjetëra mijëra turistë, pelegrinë e banorë të Romës u grumbulluan në sheshin Shën Pjetër për të dëgjuar e gjithashtu marrë bekimin e Atit të Shenjtë.

Ndër të tjera, Papa Françesku përmendi konfliktet e gjata në Lindjen e Mesme, si dhe u lut për armëpushim të qëndrueshëm në Jemen e për pajtim në Iran e Mianmar. Kreu i Kishës Katolike vuri në dukje se “rruga e paqes bllokohet nga forcat që përfshijnë lidhjen me pushtetin dhe paranë, krenarinë, hipokrizinë, gënjeshtrën”.

Nëse duam që të jetë Krishtlindja, lindja e Jezusit dhe e paqes, le të shkojmë në Betlehem e të sodisim fytyrën e fëmijës që ka lindur për ne. Në atë fytyrë të vogël e të pafajshme, le të shohim fytyrat e të gjithë atyre fëmijëve që dëshirojnë paqen kudo në botë!

Në Kishën e Lindjes së Krishtit në Betlehem të Bregut Perëndimor, besimtarët besojnë se ka lindur Jezu Krishti. Françesku u bëri thirrje besimtarëve të kujtojnë miliona ukrainas që janë pa energji elektrike ose ngrohje, për shkak të sulmeve ruse në rrjetin elektrik, si dhe miliona të tjerë që jetojnë si refugjatë jashtë Ukrainës ose të zhvendosur brenda vendit të tyre që nga pushtimi rus, që nisi më 24 shkurt.

Le të shohim edhe fytyrat e vëllezërve e motrave tona ukrainase, të cilët po përjetojnë këtë Krishtlindje në errësirë e në të ftohtë, larg shtëpive të tyre për shkak të shkatërrimit nga dhjetë muaj luftë. Zoti të ndriçojë mendjet e atyre që kanë fuqinë të shuajnë bubullimën e armëve dhe t’i japin fund të menjëhershëm kësaj lufte të pakuptimtë! Në këtë ditë, ndërsa jemi ulur rreth një tavoline të shtruar mirë, le të mos e largojmë vështrimin tonë nga Betlehemi, një qytet emri i të cilit do të thotë “shtëpia e bukës”, por të mendojmë për të gjithë ata, veçanërisht fëmijët, të cilët janë të uritur.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48765 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE