Tensionet me Serbinë, mbyllet edhe Merdara/Prishtina udhëzon kalimin përmes Maqedonisë së Veriut!

vovalbania December 28, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tensionet me Serbinë, mbyllet edhe Merdara/Prishtina udhëzon kalimin përmes Maqedonisë së Veriut!

Mbyllet edhe pikëkalimi kufitar në Merdare, për shkak të vendosjes së barrikadave në Serbi, rreth dy kilometra nga ky kufi. Njoftimin e dha Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë. Merdara, një prej pikëkalimeve kufitare me Serbinë, përdoret masivisht nga diaspora kosovare për hyrje-dalje nga Kosova. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se “grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në Merdare”.

Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës. MPJD udhëzon qytetarët që tashmë kanë hyrë në Serbi, që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut, pikëkalimi kufitar i Preshevës përmes Shkupit.

Një ditë më parë, në veri të Kosovës u vendosën dy barrikada të reja, njëra prej tyre në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, vendbanim shumetnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë e boshnjakë. Aty ku u vendos barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me të Jugut.
Barrikada në këtë lagje është e para brenda një qyteti në veri, që kur disa serbë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor.

Të tjerat, kryesisht janë të vendosura në rrugë që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë e Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Serbët i ngritën barrikadat, në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç. Autoritetet në Kosovë thanë se Pantiç dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç deklaroi dje se ka vizituar disa njësi të Ushtrisë së Serbisë “diku midis Kralevës e Rashkës”, si dhe paralajmëroi një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, por pa dhënë më shumë detaje. Komuna e Rashkës në Serbi gjendet afër kufirit me Kosovën.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49365 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE