Sulmi ndaj institucioneve në Brazil, 400 të arrestuar/Skenari i ngjashëm me trazirat në Kongresin Amerikan!

vovalbania January 09, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulmi ndaj institucioneve në Brazil, 400 të arrestuar/Skenari i ngjashëm me trazirat në Kongresin Amerikan!

Kaos në Brazil, mbështetës të ish-presidentit Jair Bolsonaro sulmuan institucionet qeverisëse në vend. Për disa orë, mijëra militantë të ekstremit të djathtë zaptuan selitë e pallatit presidencial, Kongresit e Gjykatës së Lartë. Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë, duke arritur t’i largojë turmat.

Kjo ndodhi një javë pasi presidenti i majtë, Luiz Inacio Lula da Silva mori detyrën, duke u rikthyer në krye të shtetit e përgatitet të drejtojë Brazilin.

Qindra vetë u arrestuan. Lula dënoi sulmin duke e cilësuar “vandal e fashist kundër institucioneve demokratike në vend”. Dukshëm i shqetësuar, ai siguroi se “terroristët do të dënohen në mënyrë shembullore”.

Edhe paraardhësi Jair Bolsonaro dënoi zhvillimet e fundit, ndonëse pas tyre qëndronin përkrahës të tij. Në një postim në Twitter, ish-presidenti shkroi:

Protestat duhet të jenë paqësore dhe sipas ligjit, ato janë pjesë e demokracisë. Plaçkitjet e pushtimet e ndërtesave publike si të sotmet, si dhe ato të praktikuara nga e majta në vitet 2013 dhe 2017 nuk janë aspak të ligjshme.

Tashmë, mbi 400 persona janë arrestuar si pasojë e sulmit të kryer nga mbështetësit e ish-presidentit brazilian, Jair Bolsonaro ndaj selive të institucioneve kryesore në Brazilia. Ndërkohë, vazhdon puna për identifikimin e atyre që morën pjesë në sulm.

Ajo që ndodhi një ditë më parë, risjell në kujtesë ngjarjet e rreth dy viteve më parë në Capitol Hill në Uashington. Mbështetës së ish-presidentit Donald Trump nuk pajtoheshin me rezultatin e presidencialeve të nëntorit 2020 dhe për të mos lejuar certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden sulmuan Kongresin Amerikan duke shkaktuar viktima në ngjarjet që tronditën Amerikën dhe mbarë botën.

Në Twitter, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen postoi dënimin e saj për “sulmin ndaj demokracisë në Brazil”, ndërsa Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel shkroi se “Lula u zgjodh në mënyrë demokratike nga miliona brazilianë përmes zgjedhjeve të ndershme dhe të lira, që patën mbështetjen e plotë të BE-së”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64405 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE