BE zotohet për më shumë kthime të azil-kërkuesve pa të drejtë qëndrimi!

vovalbania January 25, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
BE zotohet për më shumë kthime të azil-kërkuesve pa të drejtë qëndrimi!

Prej vitesh, Bashkimi Europian nuk po përparon me përpjekjet e veta për kthimin e azilkërkuesve pa të drejtë qëndrimi. Nisma për të paraqitur një projektstrategji të re është ndërmarrë tani nga Brukseli zyrtar. Kjo ka të bëjë me faktin që vitin e kaluar pësoi rritje numri i hyrjeve të parregullta në vendet e BE-së. Këtë e bëri të ditur eurokomisionerja për Punët e Brendshme, Ylva Johannsson gjatë prezantimit të këtij projekti.

Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve nuk kanë arsye për azil, por shumë prej tyre paraqesin kërkesë për ta përfituar. 920 mijë kërkesa për azil janë paraqitur në vitin 2022 sipas Komisionit Europian. Kjo është një rritje me gati 50 përqind kundrejt një viti më parë. Johansson u shpreh:

Kjo e vë nën presion të jashtëzakonshëm sistemin tonë të azilit dhe kapacitetet e pranimit.

Në vitin 2019, sipas të dhënave të Komisionit Europian janë kthyer 29 për qind e atyre njerëzve, të cilët duhej të largoheshin nga shtetet e BE-së. Në vitin 2021 kuota ishte 21 për qind. Në vitin 2018, autoriteti i BE-së shpalli si objektiv kthimin e rreth 70 për qind të personave pa të drejtë qendrimi.

Për të rritur numrin e të kthyerve, BE-ja do të arrijë që vendet anëtare të bashkëpunojnë në mënyrë të koordinuar. Për këtë, komisioni ka krijuar një strukturë të vetën brenda Agjencisë për Mbrojtjen e Kufirit, Frontex. Kjo strukturë drejtohet nga koordinatorja për kthimin Mari Juritsch, e cila është në detyrë që nga maji 2022.

Kthimet janë përgjegjësi e përbashkët. Kryesisht duhet të bëhen më shumë kthime në vendet e treta, në të cilat nuk ka pengesa të mëdha politike apo probleme me të drejtat themelore. Projekt-strategjia përmban disa propozime.

Krahas forcimit të bashkëpunimit, që duhet të përshpejtojë rrjedhën e procedurave është planifikuar që emigrantët të mbështeten profesionalisht në rrugën e riintegrimit në vendin e origjinës. Gjithashtu i tërë procesi do të digjitalizohet.

Shumica e kërkesave për azil, sipas Johansson, janë paraqitur në Gjermani, Francë, Spanjë e Austri. Në raport me numrin e popullsisë, Qipro, Austria dhe Greqia janë të mbingarkuara. Për bashkëpunimin me vendet e treta për kthimin, sot do të diskutojnë edhe ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së gjatë takimit të tyre në Stokholm.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48808 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE