Ju njohim me “InterContinental Khao Yai”, resorti që u frymëzua nga historia tajlandeze e hekurudhës!

vovalbania February 06, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Ju njohim me “InterContinental Khao Yai”, resorti që u frymëzua nga historia tajlandeze e hekurudhës!

Tajlanda është një nga ato vende me traditë sa i takon shfrytëzimit të linjave hekurudhore. Më shumë se 100 vjet më vonë, një resort i ri i projektuar nga Bill Bensley, i kthen vizitorët në magjinë e asaj epoke.

“InterContinental Khao Yai”, përbëhet nga më shumë se 65 suita e vila, si dhe përfshin një seri vagonësh treni të rinovuar e të shndërruar në akomodime luksoze. Resorti u frymëzua nga historia tajlandeze e hekurudhës, gjatë mbretërimit të Rama V.

Për këtë arsye, vizitorët pushtohen nga atmosfera e së kaluarës sapo hyjnë në hotel, i cili në vetvete i ngjan një terminali klasik trenash. Në rastin e “InterContinental Khao Yai”, Bensley thotë se dashuria e tij e përjetshme për udhëtimin me tren ndikoi në dizajn.

Ai ka udhëtuar në shumë trena të mëdhenj luksozë në kontinente të ndryshme. Kur rastësisht u ndesh me një numër të madh trenash të braktisur në Tajlandë, kuptoi se duhej të vepronte.

Po shikoja të gjitha ato karroca e vagonë të ndryshkur e të vjetër dhe mendova me vete: ‘Oh, Zot, janë duke u kalbur, duhet të bëjmë diçka!’ Gjashtë muaj më vonë, unë dhe ekipi im nisim të blinim shumë prej tyre, por më pas erdhi pjesa më e vështirë.

Transportimi i një grupi trenash të vjetër e të rëndë në peisazhin kodrinor të resortit rezultoi të ishte shumë sfidues. Ata u dërguan në destinacion përmes një vinçi të madh dhe puna hasi në shumë pengesa. Pas kësaj faze, nisi projektimi i ambienteve që do të krijoheshin.

Fillimisht, u mendua që vagonët dhe karrocat të shërbenin vetëm për akomodimin e njerëzve, por më pas disa prej tyre u përshtatën në suita luksoze, klube, hapësira për fëmijët, bare dhe restorante. Në resort gjendet gjithashtu edhe një pishinë e vogël.

Resorti Khao Yai tërheq vizitorë jo vetëm për veçantinë e strukturës së tij, por edhe për vendin ku është ndërtuar, pranë Parkut “Dong Phayayen-Khao Yai”. Ky park kombëtar është më i vjetri në Tajlandë dhe pyjet e tij mbrohen nga UNESCO.

Shtigjet e ecjes në këto zona të gjelbra u japin mundësi turistëve të shijojnë bukuritë natyrore, si dhe ujëvarat e shumta. Një ndër to, Haew Narok, u bë e famshme nga Leonardo DiCaprio në filmin e vitit 2000 “The Beach”. Zyrtarët e parkut ofrojnë gjithashtu guida për të parë kafshët e egra, si elefantët, arinjtë, gibonët dhe tigrat.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE