Bashkitë e vogla, “të pafuqishme” të mbledhin detyrimet e prapambetura!

vovalbania February 09, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Bashkitë e vogla, “të pafuqishme” të mbledhin detyrimet e prapambetura!

Bashkitë e konsideruara të vogla apo relativisht të tilla në numër popullsie e ku aktiviteti ekonomik është më i ulët e kanë të vështirë të arkëtojnë detyrimet e prapambetura të krijuara nga bizneset dhe familjarët vit pas viti. Këtë pikë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH e konstaton në disa prej auditimeve të kryera në bashki të tilla si Përmet, Dropull, Kurbin, Libohovë duke nënvizuar se për arkëtimet e këtyre detyrimeve nuk ndiqen të gjithë hapat e nevojshëm.

Konkretisht, për Bashkinë Përmet, KLSH vlerëson se nga auditimi rezulton se Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore, nuk ka marrë masa të plota për arkëtimin e debitorëve.

Në datën 31.12.2021 rezulton një vlerë e pa arkëtuar prej 22.4 milionë lekë, e ardhur e munguar për buxhetin e Bashkisë Përmet, e krijuar nga mos pagesa e kategorisë së taksapaguesve familjarë dhe privat, respektivisht; – vlera 17.7 milionë lekë, i përket subjekteve privat (biznesit i vogël, biznesit të madh dhe subjekte shtetërore) dhe vlera 4,047,397 lekë i përket abonentët familjar dhe gjoba në vlerën 665,976 lekë.

Për një tjetër Bashki si ajo e Dropullit, gjithashtu janë miliona lekë të paarkëtuara.

Detyrimet nga taksat dhe tarifat familjare në Bashkinë Dropull janë në shumën 9.3 milionë lekë për 1,406 familje dhe nga taksat dhe tarifat e bizneseve në shumën 1.3 milionë lekë për 19 biznese. Në fund të vitit 2021 gjendja e debitorëve (jo progresive, pasi para 2021 vlera është 0 lekë) për subjektet fizik/juridik dhe familjet është 10,6 milionë lekë , vlerë kjo që ka sjellë të ardhura të munguara në buxhetin e Bashkisë Dropull.

Në Bashkinë Libohovë, KLSH ka konstatuar se vlera e debitorëve për taksat dhe tarifat vendore në datën 31.12.2021 është 23.3 milionë lekë, të cilat janë të ardhura të munguara për buxhetin e bashkisë.

Nga vlera e mësipërme vlera prej 1.8 milionë lekë është krijuar gjatë vitit 2021 nga mos shlyerja e detyrimeve të këtij viti, ndërsa vlera prej 21.4 milionë lekë i përket detyrimeve të trashëguara përpara vitit 2021.

Për Bashkinë Kurbin, audituesit vërejnë se detyrimet e papaguara nga taksapaguesit për periudhën 2011-2021 paraqiten në shumën 332 milion lekë në progresiv. Vetëm për vitin 2021, shuma e debitorëve është 103.6 milionë lekë, vlera këto të konsiderueshme, që përbëjnë të ardhura të munguara për bashkinë.

Për të gjithë rastet, raportet nënvizojnë se nga ana e bashkive nuk janë konsumuar të gjitha masat për arkëtimin e këtyre detyrimeve duke nënkuptuar ato shtrënguese./Monitor

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE