PE thirrje Kosovës e Serbisë të përparojnë me dialogun!

vovalbania February 09, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
PE thirrje Kosovës e Serbisë të përparojnë me dialogun!

Komisioni i Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të avancojnë në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli zyrtar. Këto komente u bënë në një debat të zhvilluar në këtë komision lidhur me raportet për Kosovën dhe Serbinë. Dokumentet i hartuan raportuesit respektivë: Viola Von Cramon për Kosovën dhe Vladimir Bilçik për Serbinë.

Von Cramon vuri në dukje:

Kosova ka bërë një rrugë të madhe drejt demokracisë dhe përkundër polarizimit politik që ekziston kohëve të fundit në Kosovë, ky vend ka ecur para disa vendeve të rajonit në arritjen e standardeve të demokracisë. Duhet arritur më shumë përparim në fushën e gjyqësorit, në mënyrë që të zhduket ndikimi i panevojshëm politik.

Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, von Cramon ka deklaruar se kjo çështje varet nga reformat e brendshme, por edhe nga dialogu me Serbinë.

Ky dialog kërkon udhëheqësi dhe përkushtim të qartë dhe nuk duam që Kosova të shihet si palë që është më pak konstruktive në dialog.  Situata e sigurisë në veri të Kosovës është edhe përgjegjësi e BE-së. Ndoshta duhet të forcojmë edhe praninë e EULEX-it në veri. Po ashtu duhet të shohim se cilin rol duhet të luajmë në dialog.

Deputeti austriak nga radhët e grupit të Partisë Popullore Europiane, Lukas Mandle u shpreh në fjalimin e tij se sa u përket vlerave dhe orientimit europian, Kosova është para tjerëve, si me vlera, me demokraci, po ashtu me shoqërinë civile.

Propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ky deputet e quajti si “një njohje de facto dhe diçka që është vonuar”. Në debatin për Serbinë, shumë deputetë kanë përsëritur kritikat për mungesën e përparimit në përshtatjen e politikave të këtij shteti me ato të BE-së, për sanksionimin e Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE