Për këtë vit, Rusia rrezikon rënien e prodhimit të naftës!

vovalbania February 10, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Për këtë vit, Rusia rrezikon rënien e prodhimit të naftës!

Referuar njoftimeve më të fundit nga agjencitë ruse të lajmeve, zëvendëskryeministri i Rusisë, Aleksandr Novak, njëherazi ministër i Energjisë, paralajmëroi se ekziston një rrezik potencial i rënies së prodhimit të naftës në vend gjatë këtij viti.

Arsyet pas kësaj rënieje të mundshme duket se kanë të bëjnë me presionin dhe embargon e Bashkimit Europian, si dhe kufirin e çmimit i vendosur nga shtetet e G7-ës: Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për naftën ruse.

Pavarësisht pritshmërive për një rënie të prodhimit të naftës për shkak të sanksioneve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë, në fakt, prodhimi i naftës ruse u rrit me 2% gjatë vitit të kaluar, në 535 milion tonë ose thënë ndryshe, 10.7 milion fuçi në ditë.

Kryesisht, kjo ngritje ishte për shkak të rritjes së shitjeve në vendet aziatike, veçanërisht në Indi e në Kinë.

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera kundër Rusisë vazhdimisht kanë shkuar duke u rritur. Sot janë në fuqi një varg prej tyre e që përfshijnë masa që nga ndalimi i mallrave e shërbimeve ruse deri te bllokimi i transaksioneve financiare të Moskës.

Po ashtu, dhjetëra kompani ndërkombëtare kanë pezulluar tregtinë në Rusi ose janë tërhequr përfundimisht. Nga disa media në Shtetet e Bashkuara, sanksionet janë cilësuar si më të rëndat dhe më të koordinuarat ndonjëherë nga Perëndimi.

Pesë ditë më parë, në datën 5 shkurt, Europa bëri një tjetër hap të madh drejt ndërprerjes së lidhjeve të saj energjetike me Rusinë, duke i ndaluar importet e karburantit dizel dhe të produkteve të tjera nga nafta e papërpunuar ruse.

Me këto veprime, blloku prej 27 vendesh po përpiqet ta kufizojë financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, e që për dy javë hyn në vitin e dytë. Kujtojmë se me urdhër të presidentit Putin, pushtimi rus i Ukrainës nisi më 24 shkurt 2022.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49064 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE