Luftimet në Ukrainë, Wagner pretendon marrjen e fshatit kyç Krasna Hora!

vovalbania February 12, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Luftimet në Ukrainë, Wagner pretendon marrjen e fshatit kyç Krasna Hora!

Grupi i mercenarëve rusë, Wagner pretendon se ka kontrollin e Krasna Horas, fshat në rajonin lindor ukrainas Donjeck e që gjendet afër Bahmutit, objektivit kyç të forcave të Rusisë.

Vendbanimi i Krasna Horës sot është marrë nga trupat sulmuese të kompanisë private ushtarake të Wagner-it.

Në një video të publikuar shiheshin luftëtarë të Wagner-it, që dukej se gjendeshin në hyrje të Krasna Horës e që para luftës kishte një popullsi prej 600 banorësh. Forcat ruse të mbështetura nga Wagner-i e kanë bërë Bahmutin si objektiv kyç të ofensivës së tyre në lindje të Ukrainës. Wagner u zotua të marrë qytetin që ndodhet përgjatë disa autostradave të rëndësishme.

Kievi zyrtar është i bindur se pas muajsh mungese përparimi në fushëbetejë, presidenti rus, Vladimir Putin dëshiron të arrijë sukses para përvjetorit të parë të pushtimit të Ukrainës. Trupat ruse duhet të marrin Bahmutin që fushata e tyre ushtarake të ketë sukses, por po përballen me rezistencë të fuqishme nga ukrainasit. Bazuar në statistikat e ushtrisë ukrainase, Inteligjenca britanike thotë se “forcat ruse kanë pësuar mbi 820 viktima në ditë në dy javët e fundit”. Shifrat lënë të kuptojnë se këto janë humbjet më të mëdha të Rusisë që nga java e parë e pushtimit, më 24 shkurt 2022.

Ky vlerësim sa i përket numrit të lartë të viktimave në mesin e palës ruse i atribuohet mungesës së personelit të trajnuar, koordinimit e burimeve. Si shembull, Inteligjenca britanike veçoi përpjekjet ruse për marrjen e Bahmutit. Ushtria ukrainase raportoi se ka zmbrapsur 11 sulme të forcave ruse në rajonet lindore të Luhanskut e Donjeckut gjatë 24 orëve të fundit.

Ushtria ruse njoftoi se kreu një “sulm masiv” me raketa e dronë ndaj infrastrukturës së energjisë ukrainase dhe ka bllokuar një hekurudhë e rrugë tokësore që përdoren për të dërguar armët perëndimore për forcat ukrainase. Ky sulm shkaktoi ndërprerje të energjisë në shumë qytete e fshatra edhe pse zyrtarët ukrainas u shprehën optimistë se Kievi dhe rajonet në jug e perëndim të shtetit do të jenë në gjendje të shmangin reduktimet e energjisë elektrike.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49414 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE