Bashkimi Europian optimist për përmirësimin e ekonomisë këtë vit!

vovalbania February 13, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Bashkimi Europian optimist për përmirësimin e ekonomisë këtë vit!

Brukseli zyrtar ka treguar parashikimin e tij mbi rritjen ekonomike për këtë vit dhe pret që për pak, Bashkimi Europian të shmangë një recesion. Komisioni Europian ka pritshmëri që rritja për 20 vendet anëtare të Unionit që përdorin monedhën euro të arrijë në 0.8% dhe rritja e përgjithshme për bllokun 27-anëtarësh të jetë 0.9%.

Meritat e përmirësimit iu dhanë nivelit të lartë të depozitimit të gazit natyror që zbuti frikën e ndërprerjes së energjisë gjatë dimrit. Kompanitë dhe qeveritë europiane u përpoqën të gjenin furnizime të reja alternative pasi Rusia ndërpreu shumicën e furnizimeve të gazit natyror në Europë, në mes të luftës në Ukrainë.

Çmimet e gazit natyror, i përdorur për ngrohjen e shtëpive, industrinë e karburantit dhe prodhimin e energjisë elektrike, arritën nivele rekord verën e kaluar, duke u rritur deri në 18 herë mbi nivelin e para krizës dhe i bëri familjet e bizneset të reduktojnë përdorimin e tyre.

Që nga ajo kohë, çmimet kanë pësuar rënie edhe pse vijojnë të jenë rreth tre herë më të larta se përpara se Rusia të fillonte luftën në Ukrainë. Eurokomisioneri për Ekonominë, Paolo Gentiloni:

Me rritje elastike, ekonomia e Bashkimit Europian “i mposhti” pritshmëritë e vitit të kaluar, pavarësisht nga valët tronditëse nga lufta e agresionit rus. Dhe ne kemi hyrë në vitin 2023 me një bazë më të fortë se sa ishte parashikuar: Rreziqet e recesionit dhe mungesave të gazit janë zbehur e papunësia mbetet në një nivel të ulët rekord. Megjithatë europianët ende përballen me një periudhë të vështirë përpara.

Kostot e energjisë dhe çmimet e konsumit ende janë të larta edhe pas tre muajsh radhazi të rënies së inflacionit vjetor nga kulmi prej 10.6% në tetor, në 8.5% në janar.

Për më tepër, Banka Qendrore Europiane po rrit ndjeshëm normat e interesit për të frenuar inflacionin. Ndërsa presionet inflacioniste vazhdojnë, shtrëngimi monetar do të vijojë, duke rënduar aktivitetin e biznesit dhe duke ushtruar një zvarritje të investimeve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49322 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE